Deputetja Xhixho: Të rinjtë dhe intelektualët po ikin sepse paguhen më pak se kudo në rajon

Deputetja e Partisë së Lirisë, Erisa Xhixho, thotë se modeli ekonomik që ka krijuar qeveria « Rama» po i dëbon të rinjtë dhe profesionistët jashtë vendit.Përmes një postimi në Facebook, ajo thotë se shqiptarët kanë pagën mesatare më të ulët në rajon, ndërsa përballen me krizën e çmimeve.

Postimi i plotë

Shqiptarët kanë rrogat më të ulëta në rajon. Nuk na e kalon vetëm Kosova, por të gjitha vendet fqinje. Në Shqipëri, paga mesatare është 520 euro. Në Mal të Zi-885 euro. Në Serbi-880 euro. Në Maqedoninë e Veriut-780 euro. Në Bosnjë-Hercegovinë-820 euro.

Ndërsa në Serbi, profesionistët e IT paguhen mesatarisht 3 mijë euro në muaj, Shqipëria po eksporton me shpejtësi talentet në këtë fushë, sepse nuk i paguan. Ndërkohë që qeveria pasurohet me paratë e shqiptarëve që paguajnë dyfishin për çdo produkt në krahasim me një vit më parë, qytetarët po detyrohen të heqin nga tryeza edhe ushqimet bazë.

Është e qartë se kjo është qeveria e disave dhe modeli ekonomik që ajo ka krijuar, favorizon vetëm disa. Kjo është arsyeja pse mijëra të rinj dhe profesionistë zgjedhin të largohen nga vendi. Shqipëria ka nevojë për qeverisje që i krijon mundësi të gjithëve e jo disave.

SHKARKO APP