Derby Shqipëri-Kosovë në kampionatin e parë ndërkombëtar të BALFIN (FOTO)

Neptun Albania u shpall kampion i “BALFIN Volley International Cup” në finalen e madhe në Parkun Olimpik të Tiranës më 17 shtator. Finalistët nga Shqipëria dhe Kosova, Mane TCI dhe Neptun Albania, New Co Ferronikeli dhe Jumbo Kosova, treguan kurajo në kampionatin e parë ndërkombëtar të volejbollit të Grupit BALFIN. Tre ndeshje intensive emocionuan kolegët-tifozë, ndërsa ceremonia e ndarjes së çmimeve vlerësoi lojtarët e talentuar dhe përkushtimin e tyre.

Finalja e madhe ishte rezultat i dy kampionateve të zhvilluar në Shqipëri dhe Kosovë, ku morën pjesë 16 ekipe, me mbi 200 punonjës të angazhuar dhe mbështetjen e qindra tifozëve të tjerë.

Finalisti i Shqipërisë, Neptun, fitoi kundër New Co Ferronikeli, kampionit të Kosovës me rezultat 25-17, 25-20. Mane TCI, kampioni i Shqipërisë, mundi Jumbo Kosovën, i renditur i dyti në vendin fqinj, me rezultatin 25-14, 25-22. Sfidat u gjykuan nga arbitër profesionistë. Në ndeshjen finale, Neptun Albania triumfoi ndaj Mane TCI me rezultat 26-24, 25-17. Edlira Muka, CEO e Grupit BALFIN, i dorëzoi kupën kampionit, Neptun Albania.

“Ne jemi shumë të gëzuar pasi ky ishte edicioni i parë rajonal, ku mori pjesë edhe Kosova”,- tha Blendi Dashi, kapiteni i Neptun Albania. “Ky edicion i BALFIN Volley na tregoi se me angazhim, entuziazëm dhe sakrificë, ne mund të arrijmë të pamundurën”,-tha Eugesta Jazi, kapitene e Mane TCI.

“Është kënaqësi të marrësh pjesë në një kampionat të një madhësie të tillë të organizuar nga Grupi BALFIN, ku mund të socializohemi me kolegë nga kompani të tjera,” tha Besart Avdiu, kapiteni i Jumbo Kosova. “Është një organizim i shkëlqyer, ne dhamë maksimumin dhe vitin e ardhshëm me siguri do të dalim më mirë”,-tha Lorent Morina, kapiteni i New Co Ferronikeli.

Një festë e vërtetë shoqëroi aktivitetin gjatë dhe pas ndeshjeve, me pjesëmarrësit, punonjësit, miqtë dhe familjarët e tyre të pranishëm. “Është një angazhim i jashtëzakonshëm i Grupit BALFIN, i cili e organizon këtë aktivitet për 8 vjet rrjesht, me shumë entuziazëm”, tha Artan Pogoni, Doktor i Shkencave të Sportit dhe trajner profesionist.

Ekipet pjesëmarrëse të këtij viti ishin: Tirana Bank, Milsped/Stella Mare, BALFIN sh.p.k, AlbChrome, Mane TCI, Neptun, Balfin Real Estate and Hospitality, Jumbo, Elektroservis, ACREM, On Solutions dhe SPAR Albania, si dhe New Co Ferronikeli, Jumbo Kosova, Neptun Kosova dhe Elektro Servis Kosova. Organizimi i kampionatit në tërësi iu përmbajt të gjitha masave anti-COVID të ndjekura nga kampionatet profesionale.

Në 8 edicionet e organizuara në Shqipëri, 5 edicione janë fituar nga Neptun Albania, 1 nga BALFIN Shpk, 1 nga Acrem dhe 1 nga Mane TCI. Ndërsa në Kosovë, New Co Ferronikeli u shpall kampion i edicionit të parë, që u mbajt këtë vit. Ky edicion i parë ndërkombëtar shpalli Neptun Albania fitues.

Grupi BALFIN është ndër të paktat kompani në rajon që organizon një aktivitet të brendshëm të këtyre përmasave. Në edicionet e ardhshme, parashikohet një numër i shtuar i pjesëmarrësve, duke përfshirë shtetet e tjera ku operojnë kompanitë e Grupit BALFIN, në mënyrë që të vazhdojë promovimi i frymës së dhe lojës së ndershme.

SHKARKO APP