Deri ku mund të shkojë Rusia dhe çfarë synon realisht Putin?

Sot jemi në ditën e shtatë të luftës ruse në Ukrainë, por beteja e mosdorëzimit vijon. Forcat ushtarake ruse kanë intensifikuar luftimet duke sulmuar në disa fronte. Por deri ku mund të shkojë Rusia? Gjeneralët rusë po tentojnë të marrin kontrollin e qyteteve kryesore të Ukrainës, si kryeqytetin Kiev dhe Karkivin, por edhe portet strategjike të Odesës dhe Mariupolit, një nga portet e vetme të thella në vend që mundësojnë anije të tonazhit të rëndë.

Asnjë nga këto qytete nuk ka rënë në dorën e forcave ruse, të cilat në të gjithë vendin po hasin një kundërshtim më të madh se në pritshmëritë fillestare, duke humbur një numër të madh ushtarësh dhe mjetesh.

Objektivi kryesor duket se është nga një anë ndarja e vendit në dy pjesë, me atë lindore përtej lumit Dnie për nën kontrollin e Moskës, si dhe kontrollin e brigjeve ukrainase në Detin e Zi, duke lënë Kievin pa akses detar dhe duke krijuar një korridor deri në Moldavi, ku Rusia kontrollon territorin e Transnistries. Një tjetër objektiv, i pohuar edhe nga vetë presidenti ukrainas Zelensky, është vënia e një qeverie pro-ruse në Kiev, me presidentin e tanishëm dhe bashkëpunëtorë të tij që janë objektiva ushtarakë për t’u eliminuar, edhe fizikisht.

Atëherë lind pyetja, çfarë synon realisht Putin? Sipas kancelarit gjerman, Olaf Scholz, ajo që Putin kërkon është që të rindërtojë Perandorinë Ruse. Vende si Lituania, Estonia dhe Latvia mendojnë se mund të jetë objektivi i radhës në rast triumfi të Putin në Ukrainë, por nuk mungon frika as në vende kufitare si Finlanda dhe Moldavia.

SHKARKO APP