Dervishi: Si të mbroheni nga abuzimi gjatë përmbarimit

‘Shkurtohen afatet e shqyrtimit gjyqësor’
Kreditë e këqija? Duhet përmbarim efiçent 

Disa ndryshime të rëndësishme ligjore të miratuara nga Kuvendi me propozim të qeverisë, iniciuar nga Ministria e Drejtësisë, pritet të lehtësojnë shumë kryerjen e ekzekutimit nga përmbarimi, duke saktësuar procedurat e duke reduktuar kohën. Këshilltari i ministrit Ylli Manjani, Bledar Dervishi, një prej ekspertëve që e ka mbrojtur këto ligje në komisionet parlamentare, tregon në një intervistë për Shqiptarja.com se kjo paketë ndryshimesh mbron qytetarët nga abuzimi i përmbaruesve, dhe po ashtu pritet të ndikojë edhe në uljen e kredive të këqija që janë aktualisht në nivelin 20 %. Pavarësisht këtyre përmirësimeve ligjore të propozuara nga Ministria e Drejtësisë, Dervishi sqaron se ulja e kredive të këqija ka nevojë për realizimin e masave të tjera, nga institucionet e tjera si Ministria e Financave, e Ekonomisë apo nga Banka e Shqipërisë përmes ndërhyrjeve rregullatore dhe ekonomiko-financiare.

Para disa ditësh parlamenti shqiptar ka votuar një paketë ndryshimesh ligjore prej 5 ligjesh, që u titullua paketa kundër kredive të këqija. Pse Ministria e Drejtësisë e pa të nevojshme dhe propozoi këto ndërhyrje ligjore?
Në fakt kërkesa për propozimin e këtyre ndryshimeve erdhi nga një grup ndërinstitucional pune i ngritur me Urdhër të Kryeministrit dhe i koordinuar nga Ministria e Zhvillimit Ekonomik dhe që objekt të  veprimtarisë ishte evidentimin dhe marrjen e masave për çështjen e kredive me probleme në Shqipëri. Ky grup ndërinstitucional pune hartoi një plan masash, i cili kishte për synim reduktimin e nivelit të kredive me probleme në sistemin bankar, duke evidentuar masat me propozime për ndryshime konkrete, si dhe duke përcaktuar institucionin përgjegjës për secilën masë. Ky plan masash u bashkë firmos nga qeveria dhe Bankae Shqipërisë. Në zbatim të këtij plani Ministria e Drejtësisë u caktua si institucion përgjegjës për realizimin e disa prej masave që ishin–hartimi i një ligji të ri për falimentin;-ndryshime në Kodin e Procedurës Civile;- ndryshime në ligjin e regjistrimit të pasurive të paluajtshme, si dhe ligjet e tjera që  lidhen me këtë çështje. Por më lejo të theksoj se ky plan masash kishte për qëllim edhe përcaktimin dhe realizimin e nismave ligjore rregulluese e organizative nga Ministria e Financave, Banka e Shqipërisë, apo nga vet sistemi bankar. Pra, plani i masave për uljen e nivelit të  kredive të këqija është më i gjerë, ndërsa miratimi i kësaj pakete prej 5–ligjesh

Si ndikojnë tek qytetarët këto ligje të miratuara?, dhe konkretisht cila është pjesa që shkon në favor dhe në interes të publikut?
Themeli i çdo sistemi ligjor është zbatimi efikas dhe efektiv i vendimeve/urdhrave që rrjedhin nga sistemi i tij gjyqësor. Në Shqipëri, problemet e ekzekutimit dhe të mbledhjes së detyrimeve janë disa nga faktorët që qëndrojnë pas një shkalle të lartë të kredive me probleme në një nivel prej mbi 20%. Brenda gjithë sistemit të së drejtës, edhe sistemi përmbarimor është një pjesë e rëndësishme e përmirësimit të procesit të mbledhjes së detyrimeve bankare. Nëpërmjet ndryshimeve të realizuara në Kodin e Procedurës Civile, janë qartësuar më shumë procedurat e lëshimit të urdhrit të ekzekutmit nga gjykata, por njëkohësisht janë shkurtuar dhe afatet e shqyrtimit gjyqësor në çështjet përmbarimore. Një risi tjetër është se janë forcuar shumë mekanizmat ligjor mbrojtës si mjet efektiv në dorën e palëve për tu mbrojtur. Konkretisht është saktësuar se çfarë do të përmbajë një Urdhër Ekzekutimit që gjykata tashmë duhet të lëshojë. Edhe përpara këtyre ndryshimeve ka ekzistuar parashikimi ligjor, por nga praktika e deritanishme zbatimi sillte paqartësi, e cila krijonte shteg për keqinterpretim, dhe keqinterpretimi sjell në të shumtën e rasteve shkelje të së drejtës dhe automatikisht kundërshtim nga palët dhe riprodhim të konfliktit. Pra krijohej një rreth vicioz ku palët edhe pse kishin rënë dakord në kontratat midis tyre, apo gjykata është shprehur me një vendim të  formës së prerë mbi një kërkim të caktuar, vënia në ekzekutim vështirësohej, pasi në momentin e lëshimit të urdhrit të  ekzekutimit, qartësohej se cili ishte detyrimi i ngelur për ekzekutim, çfarë do të konsiderohej shumë e ngelur e detyrueshme për zbatim etj. Pra palët shkonin sërish në një proces gjyqësor për kundërshtimin e procedurave përmbarimore, apo për të rikërkuar pavlefshmërinë, apo kundërshtimin e veprimeve nga përmbarimi, dhe kjo pikërisht dhe për shkak se urdhri i gjykatës që në fillim, nuk krijonte qartësinë praktike të nivelit të ekzekutimit të detyrimit të ngelur. Me ndryshimet e fundit ligjvënësi përcaktoi në mënyrën konkrete se si gjykata duhet të lëshojë urdhrin e ekzekutimit, evidentimin e vlerën e detyrimit që ka debitori në momentin e lëshimit të urdhrit dhe çfarë penalitetesh ai do të duhet të shlyejë në përputhje me legjislacionin në fuqi. Pra mandati veprues i përmbaruesit sipas këtyre ndryshimeve do të jetë urdhri që lëshon gjykata, dhe ai duhet të veprojë vetëm përsa gjykata ka vendosur në këtë akt. Ky formulim ka munguar dhe shpesh herë në praktikë ka krijuar shumë probleme, pse jo edhe mundësi abuzimi. Gjithashtu nëpërmjet disa ndryshimeve të tjera në Kodin e Procedurës Civile, u përcaktuan dhe afate konkrete të shqyrtimit të çështjeve nga ana e gjykatës kur bëjmë fjalë për kundërshtimin e procedurave të ekzekutimit nga përmbaruesi. Pra u përcaktuan afate të qarta të shqyrtimit të çështjes ku palët prisnin shqyrtimin e çështjes në Gjykatën e Apelit edhe për 1-vit, e mos më tepër, ndërkohë që ky afat me këto ndryshime u përcaktua tashmë të jetë nga 30-60 ditë. Pra afate të shqyrtimit gjyqësor më të arsyeshme, saktësim të procedurave, dhe përcaktim më i qartë i formës dhe i përmbajtjes të aktit që duhet të nxjerrë gjykata, janë elementë të rinj të këtyre ndryshimeve, të cilat mendoj se vijnë në favor dhe në interes të publikut.

A do të arrijnë këto nisma ligjore të ulin nivelin e kredive të këqija në vend? 
Faleminderit për pyetjen, pasi ka të bëjë me thelbin e çështjes për të cilin po punohet në vijimësi. Siç e përmenda në fillim, për përmirësimin e situatës së nivelit të kredive të këqija, ka një plan masash të miratuar midis qeverisë shqiptare dhe Bankës së Shqipërisë, me detyra konkrete për çdo institucion. Detyra e Ministrisë së Drejtësisë, në zbatim të këtij plani të masave, ishte propozimi i ndryshimeve ligjore, sipas paketës së miratuar. Mund të shtoja se me ndryshimet e miratuara qoftë në Kodin e Procedurës Civile por dhe në dy ligjet e tjera që rregullojnë veprimtarinë e shërbimit përmbarimor publik dhe privat, përmbaruesi tashmë do të duhet të jetë edhe më aktiv gjatë një procedure ekzekutimi qoftë kjo edhe kur vjen si shkak i një kredie të pashlyer. Megjithatë, paketa e ligjeve tashmë u miratua dhe përsa i takon Ministrisë së Drejtësisë, mund të them se ekzistojnë mekanizmat e duhur ligjor që procesi i zbatimit të titujve ekzekutivë të jetë më i shpejtë dhe të drejtat e palëve në proces të jenë më të garantuara. Gjithsesi për tu rikthyer tek thelbi pyetjes suaj mendoj se realizimi i këtyre ndryshimeve ligjore nuk ishin detyrat e vetme sipas planit të masave, ndërkohë që për zbatimin e detyrave të tjera, më shumë shpjegime mund tu japin kolegët e Ministrisë së Financave dhe të Bankës së Shqipërisë.

A shkurtohen afatet e shqyrtimit të çështjeve nga gjykatat, kryesisht në ekzekutimin e titujve ekzekutiv?
Unë e përmenda pak më sipër, që ndryshimet e miratuara në Kodin e Procedurës Civile synojnë shkurtimin e kohës së shqyrtimit gjyqësor për ato çështje që kanë të bëjnë me ekzekutimin e titujve ekzekutivë. Në këtë drejtim u miratuan ndryshimet në nenin 609, 610 të Kodit, dy dispozita këto të cilat parashikojnë mjetet juridike që ka në dispozicion çdo palë për t`u mbrojtur qoftë ndaj një detyrimi të padrejtë ta caktuar,apo ndaj veprimeve të përmbaruesit. Në ndryshimet e realizuara bëhet e mundur që çështjet gjyqësore të kësaj natyre do të mund të shqyrtohen brenda një afati të arsyeshëm, tashmë të mirë përcakuar.

Procesi i shitjes dhe i vlerësimit nga përmbaruesi të një pasurie të sekuestruar, ka sjellë gjithmonë konflikte midis palëve, a rregullon diçka kjo paketë ligjesh të miratuara në këtë drejtim? 
Është e vërtetë sot në gjykatë kemi një numër të lartë procesesh gjyqësore që vijnë si shkak i kundërshtimit të veprimeve përmbarimore, ku një nga faktorët është dhe përcaktimi i vlerës financiare të sendit të sekuestruar, sidomos në fazën kur për caktimin e vlerës së sendit nuk bihet dakord ndërmjet debitorit dhe kreditorit, apo kur ky send/pasuri bëhet objekt i shitjes në ankand nga përmbaruesit. Normalisht Përmbaruesi Gjyqësor nuk e përcakton vet vlerën e sendit, por ai e vendos atë bazuar në asistencën e një Eksperti Vlerësues të Licencuar nga autoriteti publik. Sot ndodh që një ekspert nga një tjetër, për të njëjtën pasuri, japin vlerësime të ndryshme, dhe këtë e justifikojnë me faktin se secili prej tyre ka përdorur këtë, apo atë metodologji, sipas vlerësimit të tij. Duke e parë këtë si çështje shumë problematike në Kodin e Procedurës Civile me ndryshimet e miratuara u përcaktua se metodologjia e vlerësimit brenda një shteti, është një, dhe ndaj u miratua që kjo metodologji të miratohet nga Këshilli i Ministrave, për t`i dhënë fund abuzimeve në këtë drejtim. Kështu ulet mundësia për kontest nga palët.

Si garanton ligji dhe Ministria e Drejtësisë qytetarët shqiptarë që të blejnë pa frikë një pronë të sekuestruar, pa u ndrojtur se dikush mund t’i trokasë në derë dhe t’i nxjerrë jashtë në një kohë të dytë? 
Garancinë këtu duhet dhe i jep ligji, por dhe aktorët duhet ta zbatojnë me përpikëri atë. Siç e përmenda në fillim të kësaj interviste, pjesë e planit të masave ishin dhe ndryshimet që u realizuan në shkurt të këtij viti në ligjin “Për regjistrimin e pasurive të paluajtshme”, ku u saktësua se çdo akt që krijon të drejta apo reflekton detyrime mbi një pasuri të paluajtshme duhet të deklarohet dhe të regjistrohet dhe çdo ndryshim i statusit, apo gjendjes, duhet të shënohet dhe të reflektohet në regjistrat publik të pasurive të paluajtshme. Brenda këtij procesi është dhe Përmbaruesi Gjyqësor i është autoriteti përgjegjës, i cili verifikon në regjistrat e pasurive të paluajtshme pasurinë e debitorit, por jo vetëm, kryen veprimet procedurale dhe i regjistron ato, si dhe duhet të realizojë procesin e shitjes së  pasurisë  së  sekuestruar në mënyrë transparente. Çdo person i interesuar që hyn në një marrëdhënie apo shpreh interesin gjatë këtij procesi duhet dhe ka të drejtë të konsultohet në mënyrë të plotë me dokumentacionin që i vihet në dispozicion për pasurinë, por dhe duhet ta vizitojë atë në terren. Puna jonë në këtë drejtim vazhdon, sepse pasuritë apartamente apo ndërtesa nuk janë të gjitha të regjistruara. Për këtë jo më larg se 10-ditëmëparë, Ministri Manjani bëri public një tjetër udhëzim të nxjerrë që i referohet shqetësimit të përcjellë nga ana e mjaft qytetarëve të cilët ndonëse kanë porositur banesa, pra de facto i kanë blerë ato, ende nuk i kanë regjistruar në ZRPP, ndihen “të kërcënuar” nga shërbimi përmbarimor për shkak se ndërtuesit e objekteve mund të zhyten në borxhe, falimentojnë, nuk paguajnë kredinë ose kanë probleme me tatimet. Sipas këtij udhëzimi pallatet/apartamentet e ndërtuara me leje ndërtimi, por që janë shitur tek qytetarët me kontratë sipërmarrjeje/porosie/ose me kontratë premtim–shitje, por që ende nuk janë regjistruar në Zyrën e Regjistrimit të Pasurisë, sipas këtij udhëzimi duhet të konsiderohen të mbrojtura. Kjo do të thotë që shërbimi përmbarimor, privat ose publik, kushdo qoftë, nuk mund të sekuestrojë apartamentin e askujt që e ka ende me një kontratë sipërmarrje, me kontratë porosie ose me kontratë premtim–shitje, por jo për faj të tij të paregjistruar, për shkak se sipërmarrësi nuk ka shlyer kredinë. Pra me këtë udhëzim ju bë me dije përmbaruesve të Republikës së Shqipërisë, mënyra se si do të veprojnë në këto raste me subjektin debitor, duke shmangur pasojat negative për një tjetër qytetar i cili në mirëbesim ka blerë një pasuri.

Çfarë parashikon Ministria e Drejtësisë, në planet e saj për përmirësimin e procedurave të shitjes me ankand të pronave të sekuestruara?  Flitet gjithmonë në këtë drejtim për mungesë të theksuar profesionalizmi, ankande jo transparente, apo dhe pasuri që blihen nga të afërm apo miq të vet përmbaruesve?
Situata aktuale e funksionimit dhe organizimit të ankandeve nga Shërbimi Përmbarimor, ku tjetërsohen pasuritë e sekuestruara gjatë  një procedure përmbarimore, lë shumë për të dëshiruar, pasi ankadet sot zhvillohen në mënyrë të shpërndarë, dhe informacioni për një pronë që futet në procedura shitje me ankand mund të jetë edhe më e mirë. Kjo problematikëështë konstatuar edhe nga partenerët ndërkombëtar që na asistojnëpër përmirësimin e shërbimit përmbarimor në shqipëri. Ministria e Drejtësisë, është duke punuar për krijimin e Qendrës Publike të Ankandeve, e cila do të ketë si objekt të veprimtarisë së saj, reklamimin dhe shitjen e të gjitha sendeve të sekuestruara. Qendra Publike e Ankandeve është një institucion që i mungon realitetit tonë.Krijimi i saj do të bëjë të mundur përmirësimin e nivelit të transparencës gjatë këtij procesi, dhe tëevidentimit të ofertës reale në treg për pasuritë që bëhen pjesë e një procedure ankandi publik. Ky është qëllimi, për të cilin po na ndihmon edhe qeveria franceze dhe shpresojmë që deri në fund të këtij viti të kemi të gjithë konceptin e vendosur në letër dhe të fillojmë me propozime konkrete për zbatimin e tij. Ministria e Drejtësisë ka një dokument projektues për krijimin e Qëndrës Publike të Ankandave, dhe është duke vlerësuar hedhjen e këtij projekitnë draftligj për ta vënë në jetë këtë realitet të ri.

Si mund të vlerësohet një vendim gjyqësor i formës së prerë i pa ekzekutuar, duke patur parasysh qe ministri Manjani ka qenë i ashpër në këtë drejtim sidomos në adresë të Zyrave të Regjistrimit te Pasurive të Paluajtshme?
Drejtësia e dhënë nëpërmjet një vendimi gjyqësor, duhet të ekzekutohet në formën që ajo është dhënë, sepse në vlerësimin tim një vendim gjyqësor i paekzekutuar, Ministri i Drejtësisë siç e thatë dhe ju ka qenë i ashpër me zyrat e regjistrimit të pasurive të paluajtshme për zbatueshmërinë e vendimeve gjyqësoredhe për këtëjanë marrë masa konkrete. Ekzekutimi i vendimeve gjyqesore si një shërbim ligjor është prioritet që ndiqet në mënyrë permanente nga strukturat e Ministrisë së Drejtësisë. Gjithëmonë do të ketë një palë e cila nuk do t’i pëlqejë vendimi i gjykatës, por kur vjen puna tek zbatimi i tij, shërbimi përmbarimor duhet të garantojë ekzekutimin e tij.

SHKARKO APP