Dëshmia e grabitësit të bankës, gazetari: Ishte në gjendje të rënduar
I proceduar disa herë për mosshlyerje detyrimesh, 58-vjeçari Bardhyl Fusha tentoi të grabiste një bankë të nivelit të dytë sot në Tiranë. Me një çantë sportive, brenda së cilës kishte një kallashnikov dhe dy karikatorë me fishekë, ai u fut si klient i zakonshëm derisa mbërriti te arka dhe, nën kërcënimin e armës, kërkoi paratë.
Në studion e “Top Story”, gazetari Eraldo Harlicaj tha se 58-vjeçari mori 8 mijë euro nga një klient që sapo tërhoqi paratë në bankë, por nuk doli dot pasi ndërhyrja ishte e shpejtë. ”Bardhyl Fusha nuk ka arritur të marrë para, por kur një klient mori 8 milionë të vjetra, ai mori këtë shumë parash dhe menjëherë ka tentuar të largohet. Ka pasur një funksionim të mirë të bankës, sepse iu dha alarmi policisë dhe fatmirësisht u bë ndërhyrja në kohë.
Ai është neutralizuar në kushte flagrante, ishin edhe forca të shumta të ‘Shqiponjave’ në vendngjarje. Sipas dëshmisë së tij në polici, ka deklaruar se ka qenë i vetëm në veprimin e tij, ka qenë në kushte të rënduara psikologjike. Pretendon se është biznesmen ndërtimi, kompanitë e tij kanë dështuar dhe ka dashur të shlyejë borxhet. Kjo ka qenë deklarata e tij në polici”, u shpreh gazetari.
KOHA JONË SONDAZH

