Dëshmia e mjekut Llesh Rroku mund të ndryshojë historinë e Mehmet Shehut
Aktualitet WebTV E Martë, 20 Korrik 2021 20:55
Dosja e vrasjes apo vetvrajes se Mehmet Shehut akoma turbullon politikën. Dita posedon dokumentat e arkivës së hetuesisë mbi vdekjen e ish-Kryeministrit Mehmet Shehu, dosje e cila ka siglën Sekret.
Në këtë dosje gjendet edhe dëshmia e mjekut Llesh Rroku, i cili ishte kardiologu personal i Shehut 4 vitet e fundit të jetës së tij.
Mjeku ka dëshmuar me regjistrim më 8 prill 1983.
Ai ka përjetuar ditën dhe natën e fundit të jetës së kryeministrit më jetëgjatë të Shqipërisë.
Më poshtë, pjesë nga dëshmia e tij:
“…Mbasi ka mbaru mbledhja e kam shoqëruar Mehmet Shehun për në shtëpinë e tij, ku tek dera e hyrjes e priste Fiqret Shehu dhe së bashku kanë shkuar në zyrën e katit të parë. Këtu i kam matur Mehmet shehut përsëri tensionin të cilin vazhdonte që ta kishte të lartë.
I thashë që të pushonte pasi kishte nevojë. Ai më tha se nuk do pushonte dhe unë jam larguar dhe kam shkuar në vendin e punës time që ndodhet jashtë banesës së Mehmet Shehut. Rreth orës 15.45, Mehmet Shehu, duke qenë në dhomën e tij të gjumit, më ka kërkuar mua përsëri që ta vizitoja.
Unë kam shkuar atje dhe pashë që Mehmet Shehu ishte në dhomë së bashku me Fiqreten, e cila ishte veshur me robdisham, kurse Mehmeti ishte veshur me kostum, që më la të kuptoja, se ai nuk kishte pushuar në drekë. Unë i kam matur Mehmet Shehut pulsin dhe tensionin, të cilat i kishte të larta, por jo sa paradite kur ishte në mbledhje.
Pasdite unë e kam shoqëruar Mehmet Shehun në mbledhje në Komitetin Qendror dhe e kam vizituar edhe njëherë gjatë pushimit të mbledhjes, ku tensionin e kishte të lartë dhe kam njoftuar mjekun Milto Kostaqi duke i thënë që të më priste mua në vendin e punës deri sa të kthehesha.
Mbasi ka mbarur mbledhja, rreth orës 20.30, unë e shoqërova Mehmet Shehun për në shtëpinë e tij dhe kur ai është futur tek dera e shtëpisë, i ka dalë përsëri përpara Fiqretja, kurse unë jam larguar për në vendin tim të punës, ku i thashë dhe Milto Kostaqit që atë natë ai të mos shkonte në shtëpi, mbasi Mehmet Shehu pulsin dhe tensionin e kishte të lartë. Milto ishte dakord.
Kur unë kam qenë tek dhoma e oficerëve, Mehmet Shehu më ka kërkuar përsëri që ta vizitoja dhe kur shkova e gjeta në zyrën e tij në katin e parë së bashku me Fiqreten. Unë i mata pulsin dhe tensionin, të cilat e kishte përsëri të larta dhe unë i rekomandova ilaçet për uljen e tensionit. Mehmet Shehu më tha se dua të pi një kafe, unë i thashë që kafen nuk duhet ta pini pasi ajo rrit tensionin, por ai tha se do ta pinte dhe kërkoi t’i sillnin kafe në këtë dhomë.
Mehmet Shehu më pyeti mua se kush ishte me shërbim atë natë. Unë i thashë se është oficeri i radhës. Ai më pyeti në ishte apo jo Ali Çeno dhe unë duke pasur mendimin se ishte, i thashë se ai është. Kur kam shkuar tek dhoma e shërbimit ku ishte oficer Pëllumb Rusto dhe një shofer i gatishmërisë, nuk e gjeta Ali Çenon aty. I kam thënë Pëllumb Rustos që të njoftojë Aliun. Kështu Aliu ka ardhur me makinë.
Unë Ali Çeno, Dashamir Rama, Pëllumb rusto, Milto Kostaqi dhe shoferi gatishmërisë kemi qëndruar në godinën e oficerëve të shërbimit deri rreth orës 24.00, pastaj kemi fjetur në dhoma të ndryshme po aty. Në mëngjesin e datës 18.12.1981, rreth orës 7.55, kur kemi qenë tek dhoma e grupit të shërbimit, kemi dëgjuar që Vladimir Shehu me steriofon tha që të vinte Ali Çeno në dhomën e gjumit të Mehmet Shehut.
Aliu ka ikur me shpejtësi kurse ne të tjerët kemi qëndruar aty, mbas 4 – 5 minutash, kemi dëgjuar që Vladimiri me steriofon njoftoi që të vinë mjekët urgjent lart. Në këtë moment, unë, Milto Kostaqi dhe ndihmësmjeku Setor Lezho, me të gjitha mjetet e nevojshme u ngjitën me shpejtësi në dhomën e gjumit të Mehmet Shehut.
Derën e gjetëm hapur. Në korridorin para kësaj deri ishte Vladimiri. Unë dhe Miltoja u futëm në dhomë pasi Vladimiri na tha “shiheni”, ndërsa ndihmësmjeku qëndroi jashtë në korridor. Sapo u futëm brenda, unë dhe Miltoja u drejtuam nga krevati dhe pamë që Mehmet Shehu ishte shtrirë në krevat me fytyrë nga tavani me batanije gjer në grykë.
Miltoja i hoqi batanijen, hoqi dhe një nga jastëkët që kishte në kokë, i vumë dorën në ballë dhe në plus, balli i tij ishte i ftohtë dhe pulsi nuk punonte, në krahun e majtë të zemrës së tij pamë një njollë gjaku. Në krahun e djathtë të trupit të Mehmet Shehut, pothuaj në mes të krevatit, mbi batanije pashë një pistoletë në mes të krevatit dhe nga të gjitha këto mora vesh që Mehmet Shehu ishte vetëvrarë dhe nuk kemi bërë asnjë veprim.
Kur u zmbrapsa nga krevati, pashë se rreth një metër larg nga krevati ishte një gëzhojë të cilën e mora me dorë dhe e vendosa sipër komodinës së krahut të majtë të krevatit ku ishte trupi i Mehmet Shehut. Veprime të tjera mbi trupin e Mehmet Shehut dhe krevatin e tij unë nuk kam bërë, kurse Miltoja e ngriti përsëri pak nga koka duke i vënë jastëkun që hoqi më parë dhe e mbuloi me batanije.
Kur unë me Milton u futëm në dhomën e gjumit të Mehmet Shehut, vura re që dera e zyrës së tij në katin e dytë që është në vazhdim të kësaj dhome gjumi, ishte hapur dhe tek tavolina e zyrës ishte Ali Çeno së bashku me Jonuz Luton, ku Ali Çeno po bisedonte në telefon për të njoftuar si duket për ngjarjen, por se me cilët persona po bisedonte, unë nuk e di.
Unë me Milto kemi dalë nga dhoma e gjumit të Mehmet Shehut dhe kemi qëndruar në korridorin e katit të dytë, tek kolltukët. Mbas nesh kanë dalë dhe Ali Çeno e Jonuz Luto, që kanë qëndruar edhe ata në korridorin e këtij kati”.