Dëshmia e Xhuvanit: S’kam qenë në lokal, isha tek Brryli duke blerë duhan

E përditshmja “Panorama” zbardh detaje nga të dhënat e grupit hetimor sipas të cilave Xhuvani ka tentuar të mohojë përfshirjen e tij në krim, duke krijuar madje dhe alibi. “Unë nuk di farë çfarë ka ndodhur e kush është vrarë. skam qenë fare aty, kam qenë të Brryli duke blerë duhan” – është shprehur Xhuvani para hetuesve, që e merrnin në pyetje.

Këto janë fjalët e pakta që ka thënë Kostandin Xhuvani para hetuesve dhe nuk ka pranuar të japë asnjë shpjegim tjetër, madje mësohet se deri tani nuk ka zgjedhur as avokat. Mësohet madje se Xhuvani ka refuzuar të firmosë edhe dokumentet që policia i ka paraqitur përpara.

Por burime nga grupi hetimor thanë se përveç provave të pakontestueshme që e përfshijnë në krim, po verifikohen edhe pamjet filmike që janë sekuestruar, ku lëvizjet e tij duken qartësisht në pjesën jashtë lokalit.

Edhe shoku i tij i arrestuar Erald Sina ka zgjedhur të njëjtën strategji, duke përdorur alibinë për momentin e krimit. Erald Sida, ka pohuar se nuk ishte në lokal kur kanë ndodhur vrasjet dhe nuk e di kush ka qëlluar. Por ky version bie poshtë, pasi sipas të dhënave që disponon grupi hetimor, Sida është larguar me një femër 30 minuta para vrasjeve por është kthyer sërish vetëm pak çaste se të ndodhte ngjarja dhe ka qenë i pranishëm në lokalin ku ndodhi krimi.

Në përfundim të verifikimeve dhe dëshmive të para, prokuroria e akuzon 26- vjeçarin Konstandin Xhuvani se ka ekzekutuar me dashje direkte shtetasit Edison Jaho 36 vjeç dhe Enea Xhaj 38 vjeç, ndërsa gjatë të shtënave ka vrarë edhe Arbër Demiraj 19 vjeç dhe shtetasin italian Paolo Azzola 53 vjeç.

SHKARKO APP