Dëshmia: Kushëririn e vrava për vetëmbrojtje
Krim horror në Larisa. Denis Zaka vrau dhe varrosi të afërmin për një fjalë goje dhe u tha familjarëve se e kishin vrarë elbasanllinjtë. Thotë të vërtetën në hetuesi…
***
U përpoq të fsheh gjurmët e krimit duke ngritur alibi pranë familjarëve dhe të afërmve të viktimës, se vrasja është kryer nga persona endacakë, të ardhur nga Shqipëria, të cilët sipas fantazisë së tij ishin me origjinë nga Elbasani.
Vladimir Murrizi nga fshati Shën e Premte i Lushnjës, është viktima, ndërsa autori i dyshuar është kushëriri i parë i tij, i quajtur Denis Zaka.
Të dy të afërmit ishin emigrantë në Greqi dhe punonin si ruajtës të tufave me të imta, në fshatin Ksioneri të Larisës.
Natën e krimit, viktima dhe autori i dyshuar ishin takuar me njëri-tjetrin. Takimi është kryer në një lokal të fshatit të sipërpërmendur.
Pasi kanë konsumuar pije alkoolike, ata kanë thurur bashkë një plan për të kryer vjedhje të një kose bari, mjet bujqësor që i nevojitej në Shqipëri familjes së viktimës.
Gjatë rrugës, mes bisedave të nxitura edhe nga avujt e alkoolit, autori i dyshuar, si një “dashamirës” ndaj kushëririt i ka rrëfyer atij se bashkëshortja që jetonte në fshatin Shën Premte, nuk i ka qëndruar besnike.
Kaq ka mjaftuar që gjakrat të ndizeshin dhe mes dy kushërinjve të niste edhe përleshja.
Mjetet që ata kishin marrë me vete, një levë hekuri viktima dhe një thikë autori i dyshuar, nuk u vunë në përdorim për të justifikuar “mbrojtjen” gjatë vjedhjes, por ndaj njëri-tjetrit.
Viktima nuk e priti mirë akuzën ndaj familjes së tij.
Rrëfimi
Sipas të dhënave të marra nga intervista e dhënë pranë oficerëve të policisë gjyqësore, nga autori i dyshuar, thuhet se viktima jo vetëm nuk e ka përtypur këtë ofendim, por është sulur ndaj autorit të dyshuar, duke e qëlluar këtë të fundit me levë.
Gjatë përleshjes mes të dyve, në një nga rrugicat në periferi të fshatit, në afërsi të një masivi pyjor, autori ka nxjerrë thikën dhe ka qëlluar disa herë mbi viktimën.
Pasi ka parë se kushëriri ka ndërruar jetë në duart e tij, për shkak të plagëve të marra nga goditjet vdekjeprurëse, në pjesën e djathtë të barkut.
Denisi ka tërhequr trupin e pajetë në një pjesë të kodrave afër stanit ku ai punonte, në mes të pyllit dhe e ka mbuluar atë, nën tokë, me dhe`, për të humbur gjurmët.
Ngjarja ka ndodhur në datën 3 gusht. Të nesërmen, në orët e para të mëngjesit, ai është nisur sërish në drejtim të vendit të ngjarjes.
Siç pohojnë burime nga policia fierake, duke cituar rrëfimin e autorit Zaka, rikthimi kishte për qëllim vërtetimin e faktit, nëse ngjarja kishte ndodhur në të vërtetë, apo kishte qenë thjesht një vegim i shkaktuar nga efekti i pijeve.
“Vetëm kur pashë, pas gërmimit të dheut se brenda në gropë ndodhej trupi i Ladit, kuptova krimin që kisha kryer”-ka pohuar ai mes të tjerash para inspektorëve kriminalë.
“Atëherë u shokova. Nuk dija se çfarë të bëja. Mora telefonin e tij dhe telefonova në Shqipëri, duke thënë se isha Vladimiri. Pastaj shkatërrova telefonin si aparat dhe prisha kartën SIM. Nuk dija çfarë të mendoja më parë dhe se si duhej të veproja për të mbuluar vrasjen”– ka thënë ai.
“U nisa në Shqipëri dy ditë pas ngjarjes. Nuk kam fjetur dhe kam qenë shumë i tronditur. Rrugës kam menduar se çfarë do t’u thoja prindërve të Vladimirit. Vendosa të thoja se ai ishte vrarë nga disa emigrantë shëtitës nga Elbasani. Mbërrita në Shqipëri dhe shkova drejt e në shtëpinë e kushëririt, në Shënpremte. I tronditur dhe me lotë ndër sy iu tregova se Vladimiri ishte vrarë nga dy persona nga Elbasani. Në shtëpinë e tij u hap kuja. Të gjithë qanin. Kur e pashë se çfarë po ndodhte dhe qarjet që nuk reshtnin, u rëndova me shumë. Vendosën që të shkonim në polici dhe të denonconim vrasjen. Pranova të isha dëshmitar për këtë vrasje. Në polici erdha sëbashku me babanë e Vladimirit, Mersinin. Aty kallë- zuam krimin dhe kërkuam ndihmën e policisë… Unë nuk doja ta vrisja. Përkundrazi. Më qëlloi me levë dhe u mbrojta”.
KOHA JONË SONDAZH

