Dëshmoi në Hagë, ish-zv.komandanti i UÇK-së: Nuk i ikim drejtësisë, por jo procese politike
Ish-zv/komandanti i UÇK-së dhe ish-komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Kadri Kastrati deklaroi se marshimi ishte një mesazh i qartë për drejtësi të paanshme. Kastrati theksoi se në Kosovë ekziston perceptimi se procesi ndaj ish-udhëheqësve të UÇK-së, të cilët ndodhen prej më shumë se pesë vitesh në paraburgim në Hagë, është i njëanshëm dhe me ngarkesë politike.
”Sot Kosova ka festuar 18-vjetorin e saj dhe ka pasur aktivitete të shumta ku forcat e armatosura kanë parakaluar me armatimet dhe pajisjet që disponojnë dhe gjithashtu dhe policia e Kosovës. Asnjëherë më parë nuk ka pasur në Kosovë kaq shumë njerëz për të marshuar për drejtësi dhe jo për politikë dhe kjo ka qenë një mesazh i qartë për gjykatën Speciale në Hagë sepse gjatë të gjithë procesit, 5 vite sa ne i kemi përcjellë duket që gjykata është e njëanshme. Udhëheqësit e UÇK ndodhen mbi 5 vite të burgosur dhe ne në Kosovë e konsiderojmë se është një gjykatë politike”, u shpreh Kastrati në emisionin “Në Kohë Reale” në RTSH 1.
Sipas tij, motoja “Drejtësi, jo politikë” synon t’i përcjellë një mesazh si faktorëve ndërkombëtarë ashtu edhe atyre vendorë se Kosova nuk i shmanget drejtësisë, por kërkon një proces të drejtë dhe të paanshëm. Ai shtoi se shpreson që vitin e ardhshëm, përvjetori i Pavarësisë të festohet së bashku me ish-krerët e UÇK-së.
“Edhe motoja e protestës së sotme ka qenë drejtësi jo politikë, dhe përçoj mesazh tek të gjithë, faktori ndërkombëtar dhe ai vendor që të gjithë që ne nuk i ikim drejtësisë asnjëherë, por mos të ketë politik në këtë proces gjyqësor sepse lufta e UÇK ka qenë luftë e pastër për të larguar okupatorin. Ky është një mesazh për të gjithë ato që dëshirojnë që drejtësia ndërkombëtare mos të marrë një fiasko nga ky proces gjyqësor. Edhe pse nuk i kemi njerëzit kryesor unë shpresoj se vitin e ardhshëm do ti kemi për të festuar së bashku”, tha ai.
KOHA JONË SONDAZH

