Dështon për herë të tretë mbledhja e Këshillit Bashkiak Kamëz

 

Pas 2 përpjekjeve për të zhvilluar mbledhjen e Këshillit Bashkiak Kamëz, edhe në mbledhjen e cila ishte programuar të zhvillohet sot, është anuluar. Ka dështuar për herë të tretë mbledhja e që në këtë rast shkaktarë kanë qenë këshilltarët e koalicionit të majtë, të cilët sipas njoftimin nga Bashkia nuk janë paraqitur.

Në një njoftim për mediat, Bashkia Kamëz është shprehur se përgjegjës për këtë mos realizim të mbledhjes janë këshilltarët e majtë. Në njoftim thuhet se: "Sot në orën 10:00 duhet të mblidhej Këshilli, por të pranishëm në sallë kanë qenë vetëm 18 anëtarët e koalicionit të djathtë, pa krijuar kështu kuorumin e nevojshëm për zhvillimin e mbledhjes. Që nga data 23 shtator, u bënë tri herë që kërkohet të zhvillohet mbledhja e Këshillit Bashkiak. Kërkesës së bërë në datë 23 shtator nga kryetari i Bashkisë, z. Xhelal Mziu, kryetari i Këshillit Bashkiak, z. Asllan Neziri, ka kthyer përgjigje negative me anë të një letre të mbushur me shkrim dore, me argumente që nuk janë serioze. Më datë 25 shtator është thirrur sërish mbledhja nga kryetari i Bashkisë për t’u zhvilluar në datën 30 shtator, por këshilltarët e majtë nuk kanë ardhur, duke mos plotësuar sërish kuorumin e nevojshëm për zhvillimin e mbledhjes ku do të kalonin projektvendime të rëndësishme për qytetarët".

Kryetari i Bashkisë Kamëz Z.Mziu është shprehur se kërkon ndjesë qytetarëve për këtë sjellje të këshilltarëve të majtë, që janë kthyer në vegla të verbra politike në dëm të qytetarëve të Kamzës dhe Paskuqanit.

Më tej ai shton se: "Bashkia është e angazhuar maksimalisht për të gjetur të gjithë instrumentet për t’u ardhur në ndihmë mijëra qytetarëve të Kamzës dhe Paskuqanit, për të mos lejuar vonesa të tjera që janë në dëm të tyre".

.

Ndërkaq, një tjetër mbledhje është thirrur për ditën e martë, datë 6 tetor. Bashkia Kamëz dhe kryebashkiaku Mziu shpresojnë që kësaj radhe të përgjigjen pozitivisht dhe të mos bllokojnë kalimin e projektvendimeve në dobi të qytetarëve të Kamzës dhe Paskuqanit.

R. Shtylla

SHKARKO APP