Dështon seanca e parë parlamentit të Kosovës, Albin Kurti nuk bën dot qeveri. Kosova ka nevojë për qeverisje të qëndrueshme

Seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës u ndërpre, pasi shumica e deputetëve nuk e votuan raportin e Komisionit për verifikimin e mandateve. Kjo situatë nuk ka ndodhur më parë në historinë legjislative të Kosovës.
Lëvizja Vetëvendosje, që doli e para në zgjedhje, ka të siguruara 48 vende në Kuvend, por ende nuk ka bërë të ditur emrin e të nominuarit të saj për postin e kryeparlamentarit. Po ashtu nuk ka bërë të ditur nëse ka arritur të sigurojë votat e domosdoshme edhe për formimin e qeverisë.
Pas mosvotimit të raportit të Komisionit për verifikimin e mandateve kryesuesi i seancës, deputeti më i vjetër Avi Dehari, tha se do t’i drejtohet presidentes së Kosovës Vjosa Osmani, se si të veprohet më tutje.
Akuza dhe kundërakuza
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, tha se partia e tij që ka 24 mandate nuk e votoi raportin pasi sipas tij ai i shte “jokushtetues”.
“Kushtetuta e thotë qartë që nuk mund të jesh kryeministër e ministër kur je edhe deputet”, tha Krasniqi, duke ju referuar mosdorëheqjes formale të kryeministrit Albin Kurti. Në të njëjtën linjë u shpreh edhe kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, i cili pas mosmiratimit të raportit tha se seanca për konstituimin e kuvendit të thirret sa më parë, derisa tha se partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje, sipas tij, “po e bllokon qëllimshëm procesin”.
“Ky është episod i errët në demokracinë parlamentare. LDK-ja mbështet deputetët që janë vetëm deputetë dhe s’kanë funksione të tjera. Nuk mund të jesh edhe deputet edhe kryeministër e edhe ministër. E pamë në seancë, 52 mbështetës të një partie që pretendon që i ka numrat. Jepini dorëheqje, ejani në seancë, zgjidhet çështja menjëherë”, tha Abdixhiku, shkruan DW.
Kryeministri në detyrë Albin Kurti, nga ana e tij akuzoi partitë politike opozitare për “sulm brenda institucional”.
“Ata u rebeluan kundër betimit të deputetëve dhe konstituimit të legjislaturës së nëntë. Ky është sulm brenda institucional kundër Republikës së Kosovës dhe zgjedhjeve demokratike. Kjo është situatë e paparë në shtetin tonë e shumë më gjerë. Ne qeverisim mbarë e mirë, këta lanë nam e bëjnë lajm të keq për shtetin tonë. Se janë kundër qeverisë e Republikës dihet, por se janë edhe kundër vetvetes, këtë e mësuam sot”, shkroi Kurti në facebook.
Si do të veprohet më tej?
Tani për tani është një situatë e paqartë sesi do të veprohet më tej. Në seancën e sotme konstituive duhej që deputetët, pas miratimit të raportit, të bënin betimin dhe të zgjidhinin kryetarin dhe nënkryetarët që zgjidhen me të paktën 61 vota nga 120 vende sa ka Kuvendi i Kosovës. Pastaj, në një seancë të radhës pritej të zgjidhet edhe qeveria e Kosovës.
Lëvizja Vetëvendosje e Albin Kurtit, që doli partia fituese e zgjedhjeve, duhet të sigurojë po ashtu të paktën 61 vota për ta marrë edhe një mandat të tretë në krye të ekzekutivit. Deri tani Lëvizja Vetëvendosje i ka të siguruara 48 vende në Kuvend, ende nuk ka bërë të ditur emrin e të nominuarit të saj për postin e kryeparlamentarit, sikundër që zyrtarisht nuk ka bërë të ditur nëse ka arritur të sigurojë votat e domosdoshme për zgjedhjen e tij dhe të qeverisë së udhëhequr nga Albin Kurti.
LVV-ja më herët kishte deklaruar se preferonte të krijonte institucionet e reja me komunitetet joserbe, por ditët e fundit e ka pranuar se i duhet bashkëpunimi edhe me partitë shqiptare që kanë fituar vende në Kuvend, në mënyrë që të mund ta formojë edhe qeverinë.
Sfidat e krijimit të koalicionit
Tri partitë më të mëdha opozitare deri tash janë deklaruar se nuk duan të hyjnë në koalicion me Lëvizjen Vetëvendosje të kryeministrit në detyrë, Albin Kurti.
Përfaqësues të Partisë Demokratike të Kosovës, e cila ka siguruar 24 vende në Kuvend, thonë se nuk do të marrin pjesë edhe në votimin për kryeparlamentarin e ri gjatë seancës konstituive të Kuvendit, pa një “zgjidhje të qëndrueshme për Kosovën”. Lidhja Demokratike e Kosovës, e cila ka 20 deputetë në Kuvend, nuk ka saktësuar se a do ta votojë të propozuarin e Lëvizjes Vetëvendosje për kryeparlamentar, por ka thënë se cilido person që nuk i ka 61 vota, nuk duhet të bëhet kryetar i Kuvendit të Kosovës. Nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, e cila bashkë me partneren e saj në koalicion, Nismën Socialdemokrate, kanë tetë deputetë në Kuvend, kanë theksuar se “në parim, do të votojnë për kryeparlamentarin e ri”, të propozuar nga partia fituese e zgjedhjeve, Lëvizja Vetëvendosje.
Kosovës i duhet një qeveri e qëndrueshme
Autoritetet ndërkombëtare kanë kërkuar nga klasa politike në Kosovë që ta krijojë sa më parë qeverinë e re. Në mesin e tyre, ambasadori gjerman në Kosovë, Joern Rohde, thotë se Kosovës i duhet një qeveri e qëndrueshme.
“Më e rëndësishmja është që të kemi një qeveri të qëndrueshme me një shumicë të mirë dhe konsensus për të formuar qeverinë e re”, tha Rohde për mediet lokale, duke shtuar se në këto kohë të paqëndrueshme gjeopolitike, “ajo që është në interes të vendeve dhe të popujve është të kenë qeveri të qëndrueshme”.
Por si parashihen procedurat për formimin e institucioneve të reja? Sipas Kushtetutës së Kosovës, posti i kryetarit të Kuvendit i takon partisë së parë që doli në zgjedhje, në këtë rast LVV-së, ndërkaq, partitë më të mëdha politike propozojnë një kandidat për nënkryetar, por edhe deputetët e komunitetit serb dhe ata të komuniteteve joshumicë duhet të propozojnë nga një deputet për postin e nënkryetarit. Kryetari dhe nënkryetarët zgjidhen me shumicë të votave dhe seanca konstituive, sipas Rregullores së Kuvendit, përfundon me zgjedhjen e tyre.
Procedura për formimin e qeverisë së re
Me konstituimin e Kuvendit të Kosovës, hapet rruga për formimin e qeverisë së re. Pas konstituimit të Kuvendit dhe kryesisë, presidentja Vjosa Osmani, sipas ligjeve, detyrohet të nominojë partinë fituese si mandatare për formimin e qeverisë së re. Kabineti qeveritar i propozuar duhet t’i sigurojë të paktën votat e 61 deputetëve nga 120 deputetë sa i ka Kuvendi i Kosovës. E Lëvizja Vetëvendosje, me 48 vendet e siguruara në zgjedhje, duhet patjetër që të hyjë në koalicion me ndonjë parti tjetër në mënyrë që të mund ta formojë qeverinë. Nëse Lëvizja Vetëvendosje dështon të sigurojë mbështetjen e 61 deputetëve, atëherë presidentja Osmani është e detyruar që brenda dhjetë ditësh të ftojë në konsultime partitë politike. Pas konsultimeve është në diskrecionin e saj për të vendosur për mandatarin e ri, nëse ai dëshmon se ka numrat për të formuar ekzekutivin. Mandatari i ri më pas i ka 15 ditë kohë që t’i paraqesë Kuvendit përbërjen e kabinetit qeveritar. Por, nëse qeveria nuk formohet as pas tentimit të dytë, atëherë presidentja Vjosa Osmani, sipas nenit 95 të Kushtetutës, duhet të shpallë zgjedhjet e reja, të cilat duhet të mbahen jo më vonë se 40 ditë.