Detaje nga betimi i qeverisë ”Rama 3” te Presidenti Meta këtë të shtunë
Nesër (e shtunë) kabineti qeveritar i dalë nga zgjedhjet e 25 prillit, do të betohet te Presidenti Meta , pasi u votuan në Kuvend. Do të jetë kryeministri Edi Rama ai i cili do të hedhë firmën i pari mbi dekretin për të drejtuar qeverinë. Më pas 16 ministrat, 12 prej të cilëve gra.
I gjithë kabineti i ri qeverisës do të mbërrijë si një grup i vetëm duke ecur nga kryeministria në drejtim të presidencës. Pas ceremonisë së betimit sipas traditës, Presidenca do të organizojë edhe një kokteil.
Pas përfundimit të kësaj ceremonie e gjithë qeveria do t’i drejtohet selisë së Këshillit të Ministrave ku në ora 10:30 parashikohet mbledhja e parë e qeverisë ”Rama 3”. Pritet me interes të shikohet se cilat do jenë vendimet e para të qeverisë të firmosura nga Rama.