Detaje nga paketa “Anti-KÇK”: Në fokus sekuestrimi i pasurive. Ja kush janë subjekte të ligjit

Zbardhet paketa “Anti-KÇK” që u prezantua sot nga kryeministri Edi Rama. Gazetarja e News 24 Dorjana Bezat ka shpjeguar se cilat janë subjektet e këtij ligji dhe risitë që sjell për hetimin dhe sekuestrot.

“Pjesa më e madhe e ligjit është e fokusuar tek sekuestrimi i pasurive dhe destinacioni që ato do të marrin. Bëhet fjalë për pasurinë e atyre që janë subjekt i këtij ligji që janë persona të cilët janë të dënuar me formë të prerë. Në nenin 5 janë përcaktuar subjektet e këtij ligji, që janë persona të cilët janë të prekur nga të gjitha këto nene. Persona që dyshohet se janë të përfshirë në aktivitete të krimit të organizuar, krime të rënda ose terrorizmi. Ka persona që ka dyshime për standardin e jetës dhe kjo është e re që nuk është e parashikuar në ndonjë ligj tjetër. Pra, subjekte të këtij ligji janë ata persona, të cilët ka dyshime se standardi i jetës nuk është i justifikuar me burime të ligjshme. Nëse policia krijon dyshime se një person që ka një pasuri të madhe, ka një makinë të shtrenjtë dhe nuk e justifikon me burime të ligjshme, bëhet automatikisht subjekt i këtij ligji dhe pas hetimeve mund të kalojmë edhe tek sekuestro. Po kështu subjekt i këtij ligji janë personat që janë dënuar në Shqipëri apo vende të tjera për vepra penale që i përkasin krimit të organizuar apo edhe krimeve të tjera që i përafrojnë legjislacionit tonë për krim të organizuar. Personat që janë subjekt të këtij ligji janë po ashtu që kanë rekorde të mëparshme kriminale. Një tjetër e re është se subjekt i këtij ligji janë edhe subjektet juridike të cilat ka dyshime se ndihmojnë, përfitojnë apo financojnë me veprimtari krimin e organizuar, krime të rënda ose terrorizmin”, deklaroi Bezat.

Paketa “Anti-KÇK”/ “Në fokus sekuestrimi i pasurive”, gazetarja: Kush janë subjekte të ligjit

Në kreun e dytë të këtij projektligji që pritet të kalojë në Kuvend janë edhe masat parandaluese personale, ku i është rritur kompetenca Policisë dhe ajo vetëm nëpërmjet një leje nga Prokuroria mund të ekzekutojë disa masa parandaluese për personat që janë subjekt i këtij ligji.

“Nëse janë jashtë territorit të Shqipërisë nuk do iu lejohet futja pa kaluar më parë në filtrin e policisë ku do të niset një verifikim i hollësishëm i policisë i cili do të bëhet në pikën e kalimit kufitar. Pra, të gjithë personat që subjekt i këtij ligji nuk do të lejohen të futen në territorin e Shqipërisë pa kaluar më parë në sitën e policisë, që do të thotë që do merren deklarimet e tyre gjë që nuk ndodhte më parë. Ligji parashikon që do të ngrihet edhe një strukturë tjetër e veccantë por në ndryshim nga çfarë parashikon kodi i procedurës penale, tani një person mund të shoqërohet vetëm nëse ndaj tij ka dyshime të arsyeshme për një vepër penale apo nëse ka një masë ndalimi. Ndërsa ky ligji është pa masë ndalimi, automatikisht personi që futet në territorin e Shqipërisë, që ka qenë më para i dënuar për krim të organizuar apo që nuk e justifikon jetën e tij të luksit do të ndalohet në pikën e kalimit kufitar dhe do të pyetet hollësisht nga policia”, sqaroi Bezat.

Po ashtu policia do të marrë dëshminë dhe do të administrojë dhe do të kryejë fillimin e verifikimeve dhe hetimeve për çdo person që paraqitet dhe jep informacione për këta persona.

“Pra, çdo person vullnetarisht shkon në polici dhe kjo bëhet pjesë e hetimeve. Po ashtu policia mund të kufizojë dhe lëvizjen e një personi në një perimetër të caktuar nëse ai është i dyshuar për krim të organizuar. Pa marrë miratimin e gjykatës apo të prokurorisë. Policia vetë mund të ndalojë lëvizjen e tij deri në 48 orë. Neni thotë shprehimisht që për të gjithë subjektet e këtij ligji, policia mund të urdhërojë kufizimin e perimetrit të lëvizjes së tij, brenda një zone administrimi, qyteti apo qarku. Po ashtu të njëjtat masa që policia tashmë i merr vetë mund t’i marrë edhe me kërkesë të BKH. Në nenin 7 të gjitha masat e mësipërme, mund të ndërmerren jo vetëm nga policia por edhe me kërkesë të BKH-së, Prokurorisë, SPAK”.

SHKARKO APP