Detaje nga vrasja e efektivit 26-vjeçar, çfarë kapën kamerat e sigurisë
Dalin të tjera detaje nga vrasja e efektivit të policisë Xhulio Prela, mëngjesin e së shtunës në superstradën Lezhë-Milot.
Kamera e sigurisë e një biznesi ka filmuar momentin kur 26-vjeçari është afruar dhe ka biseduar me autorët, por për faktin se aty ka qenë i parkuar një mjet i tonazhit të rëndë, identifikimi i makinës së autorëve është i vështirë dhe pamja është e penguar.
Dyshimet janë se efektivi i policisë ka komunikuar në telefon para se të vritej, pasi ndonëse kishte përshkuar disa metra rrugë në drejtim të Tiranës është kthyer sërish në vendin ku po e prisnin autorët pranë fshatit Gajush të Lezhës.
Pamjet filmike të kamerës së sigurisë janë dërguar për analizim të specializuar bashkë me telefonin e viktimës.
Policia deri më tani ka shoqëruar 15 persona lidhur me vrasjen e efetktivit, por ende nuk ka një autor të dyshuar.
Babai i viktimës ka rrëfyer se ka takuar të birin dhe kanë darkuar së bashku, por më pas 26-vjeçari, Xhulio Prela, ishte nisur drejt Rinasit për të pritur një mik.
Ndërkohë, i pyetur lidhur me ngjarjen, miku i tij (shok i të vëllait që kishte mbërritur nga Londra) tha se gjatë rrugës 26-vjeçari nuk kishte shfaqur asnjë shqetësim dhe nuk kishte bërë asnjë telefonatë.
Ndërkohë, babai i tij përjashton mundësinë e përfshirjes në vrasje të mikut që i riu priti në Rinas. Martin Prela shprehet se nuk kishin hasmëri, por që i biri kishte disa presione për shkak të punës për çështjet që ishin mbyllur me kohë.
Pista kryesore që po hetohet është ajo e ndonjë konflikti personal që mund të ketë pasur 26-vjeçari me ndonjë person gjatë ditëve të fundit, por që nuk iu ka rrëfyer familjareve apo shokëve të tij. Gjithashtu po verifikohet edhe veprimtaria e vëllait të viktimës, i cili prej disa kohësh është emigrant në Britaninë e Madhe.