Detajet e takimit të Komisionit Ndërqeveritar Shqipëri-Rusi
Ambasadori rus në Tiranë, Aleksandër Karpushin zhvilloi sot një takim me Zëvendësministren e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes së Shqipërisë, dhe njëherazi Bashkëkryetaren e Komisionit Ndërqeveritar Rusi-Shqipëri për Tregtinë, Bashkëpunimin Ekonomik dhe Tekniko-Shkencor, Adela Karapici.
Lajmi është raportuar nga Ambasada Ruse në Tiranë, në faqen e saj zyrtare në Facebook.
Ambasada ka dhënë detaje dhe për temën e bisedës së zhvilluar mes diplomatit dhe zyrtares së qeverisë shqiptare. “Në fokus të bisedës ishte përgatitja për zhvillimin, për herë të parë që nga viti 2009, të sesionit të radhës të Komisionit Ndërqeveritar, i cili kësaj here duhet të mbahet në Tiranë. Si hap i parë në këtë rrugëtim, u ra dakord paraprakisht për organizimin e një takimi të bashkëkryetarëve të Komisionit, që janë Karapici dhe homologu i saj, Zëvendësministri i Parë i Drejtësisë së Rusisë Sergej Gerasimov, për të diskutuar hollësisht mbi axhendën e mbledhjes së ardhshme. Bashkëbiseduesit ndanë bindjen se marrëdhëniet ekonomiko-tregtare Rusi-Shqipëri duhet ringjallur dhe çuar në një nivel më të lartë cilësor të bashkëpunimit pragmatik, me përfitim reciprok dhe në interes të qytetarëve të dy vendeve”,- thuhet në njoftimin e Ambasadës

