DETAJET/ Ja si u arratis anija nga porti i Durrësit dhe ku ndodhet ajo
Janë zbuluar detaje të reja nga arratisja e anijes nga Porti i Durrësit.
Kreu i Kapitenerisë në Durrës, Paulin Ndreu, në një prononcim për mediat ka sqaruar ngjarjen, e arratisjes së anijes “Sea Scaner” (Wilson) nga porti i Durrësit.
“Mbrëmë rreth orës 03:00 e mëngjesit është larguar nga rada e portit Durrës pa njoftim dhe pa leje anija ‘Sea Scaner’ me flamur Sierra Leone.
Ajo kishte sjellë kripë në Durrës më datën 26 qershor, një sasi prej 6 mijë ton.
Pas shkarkimit të sasisë 5500 ton, kanë hyrë në konflikt pasi pjesa 500 ton, ka rezultuar e përzier me qymyr dhe pritësi i mallit ka refuzuar ta marrë.
Në këto kushte të konfliktit civil kanë ndërhyrë studio ligjore për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve civile për mallin.
Për të mos penguar shkarkimin e anijeve të tjera që prisnin anija ‘Seascaner’ ka dalë në radë të portit Durrës.
Me gjithë dialogun e zhvilluar nga përfaqësuesit ligjorë të dy kompanive, nuk kanë rënë dakord për sasinë e mbetur 500 ton.
Mbrëmë rreth orës 03:30, anija ‘Sea Scaner’ pa njoftim dhe pa plotësuar asnjë dokument është larguar nga Rada e Portit Durrës.
Kapiteneria ka njoftuar policinë e kufirit dhe rojën bregdetare si dhe kapiteneritë e vendeve të rajonit. Anija është në rrugëtim nëpër veri në detin Adriatik.
Jemi në kontakt me vendet partnere dhe po e monitorojmë lëvizjen e saj”, -deklaroi Paulin Ndreu, Drejtori i Përgjithshëm i Drejtorisë detare.
Arratisjen e saj pa marrë leje nga asnjë prej autoriteteve portuale në Durrës, e ka konfirmuar edhe kapiteni i Portit të Durrësit Taulant Allka.
Për mediat ai tha se tre ditë më parë anija i ishte drejtuar radës së jashtme pas konfliktit tregtar që kishte kompania pritëse e mallit me transportuesin për shkak të cilësisë së mallit.
Anija më herët kishte ngarkuar qymyr dhe pa u pastruar depozita e anijes ishte ngarkuar me kripë. Çka ka bërë që kompania pritëse e mallit të vërejë që kripa ishte jashtë cilësisë së duhur se ishte përzierë me qymyr.
Ky konflikt bëri që kapiteni sirian i anijes t’i japë urdhër ekuipazhit me 12 anëtarë të tjerë egjiptianë të largohen nga Porti i Durrësit në orën 2:30 të mëngjesit. Për më tepër mësohet se malli nuk ishte i siguruar, pra siguracioni nuk mbulonte dëmin e shkaktuar.
“Kapitaneria ka lajmëruar vendet partnere dhe kapiteni pritet të përballet me masa ndëshkuese sipas ligjeve ndërkombëtare ujore”-, tha Taulant Allka.
Ndërkohë, sistemet e navigimit, e identifikojnë vendndodhjen e anijes, duke u larguar në drejtim të veriut, të detit Adriatik, sikurse e konfirmoi edhe Paulin Ndreu.
KOHA JONË SONDAZH

