Detaji i ri/Polici pasi e rrëzoi në tokë qëlloi, edhe pse Klodian Rasha s’kishte armë
Vrasja e të riut nga efektivi nxiti një valë protestash të forta në Shqipëri. Ndërsa sot ka dalë një detaj i ri. Nevaldo Hajdaraj, efektivi i forcave ”Shqiponja”, i akuzuar për vrasjen, dyshohet se ka qëlluar drejt 25-vjeçarit, edhe pse e dinte që ai ishte i paarmatosur.
Grupi i hetimit ka mbërritur në këtë konkluzion, pas këqyrjes së pamjeve filmike të kamerës së sigurisë, që ka fiksuar krimin e 8 dhjetorit 2020. Ky duket se do të jetë edhe argumenti kryesor mbështetës i prokurorisë për akuzën e “vrasjes me dashje” ndaj efektivit Hajdaraj, që pritet t’i komunikohet në ditët në vijim. Referuar pamjeve filmike, efektivi i policisë ka mundur ta kapë të riun pak hapa larg vendit të ngjarjes.
Në këtë moment, shquhet polici të kapë nga duart Rashën, sipas burimeve mjaftueshëm për të vërejtur nëse kishte apo jo armë. Sipas burimeve, 25-vjeçari ka shpëtuar dhe tentuar të largohet, kur edhe është qëlluar drejt tij.
Nga ana tjetër, Prokuroria ka përfunduar të gjitha verifikimet dhe pyetjet e dëshmitarëve dhe ka dalë në përfundimin se nuk ka pasur njohje mes Klodian Rashës dhe Nevaldo Hajdarajt. Ndërsa pistoleta e gjetur në një pellg me ujë në rrugicën ku vrapoi 25-vjeçari, pak çaste para se të qëllohej, nuk do të dërgohet për ekspertizë të specializuar jashtë vendit.