Deti me Greqinë, ish komandanti Vladimir Beja: Me ligjin për zgjerimin Shqipëria del e humbur
Ish-komandanti i Forcave Ushtarake Detare të Shqipërisë, Vladimir Beja, komentoi për Euronews Albania çështjen e detit me Greqinë. Sipas Bejës, i cili ka qenë kryetar i grupit të ekspertëve që ka negociuar me palën greke, ndryshimi ligjor që pritet të kalojë në parlament Athina lidhur me territoret detare në detin Jon “prish ekuilibrat e deritanishëm” dhe e “kthen çështjen nga e para”.
Beja kritikoi mungesën e informacioneve për sa i përket zhvillimeve të negociatave mes dy vendeve dhe kërkoi një qëndrim të përbashkët mes institucioneve shtetërore shqiptare, qëndrim që deri më tani, sipas tij, ka qenë “me boshllëk” dhe “inferioritet”.
Duke kaluar më tej në çështje teknike, Beja tha me bindje se me zhvillimet e fundit Shqipëria preket dhe del e humbur. Sipas tij edhe me konventën e vitit 1982 të Kombeve të Bashkuara, njohur si konventa e Montego Bay, “Shqipëria favorizohet” dhe se sipas tij “kjo nuk i intereson Greqisë, e cila po përpiqet me sa mundet të përfitojë territore në Jon dhe Egje”.
“Në përvojën time dhe nga vendimet e shkuara, në të shumtën e rasteve konventa e Montego Bay ka favorizuar kontinentin dhe kjo nuk i intereson Greqisë, që po bën përpjekje dëshpëruese për të përfituar sa më shumë,” – tha Beja duke nënkuptuar vendimin për ta zgjidhur me Gjykatë Ndërkombëtare çështjen.
Ish-komandanti Vladimir Beja apelon që shteti shqiptar të jetë në unison, t’i studiojë efektet që mund të ketë ky ligj dhe të mbajë një qëndrim të përbashkët “ballazi çështjes”.
Prej së paku dhjetë vitesh Shqipëria dhe Greqia mbeten në diskutim për sa i përket caktimit të kufijve detar. Në vitin 2009 dy vendet arritën marrëveshje, mirëpo një vit më vonë Gjykata Kushtetuese në Shqipëri e hodhi poshtë për anashkalime të procedurave dhe për mos-shqyrtim të të gjitha pikave të mundshme si referim për delimitimin e hapësirave detare.
Rrëzimi i marrëveshjes detyroi dy vendet të nisnin sërish negociatat për këtë çështje. Së fundmi qeveritë përkatëse janë shprehur se do ta dërgojnë çështjen në Gjykatë Ndërkombëtare, ndërkohë që Greqia paralelisht ka kaluar për miratim në parlament një ligj, përmes së cilit zgjeron nga 6 deri në 12 milje ujërat territoriale të saj.
Shteti grek pret që çështja e ujërave të niset për t’u shqyrtuar në Gjykatën e Hagës pas zgjedhjeve parlamentare të 25 prillit në Shqipëri.