Deutsche Telekom vazhdon mbështetjen për Bayern München

Deutsche Telekom dhe Klubi i Futbollit Bayern München kanë njoftuar shtrirjen e bashkëpunimit të tyre të hershëm. Në një konferencë të përbashkët për shtyp në Allianz Arena, u njoftua se kompania gjermane e telekomunikacionit do të mbetet sponsori i bluzave të klubit deri në vitin 2023. Gjithashtu u theksua se të dyja palët do të intensifikojnë bashkëpunimin në vitet e ardhshme me projekte novatore e afatgjata. Drejtori i Marketingut të Bayern München, Andreas Jung, shpjegoi se: “Për klubin është e rëndësishme të ketë një partner që e mbështet në aspektin e dixhitalizimit. Dhe duke pasur parasysh këtë, ajo që do ju ofrojmë vizitorëve në stadiumin tonë do të jetë spektakolare dhe unike."

Pjesë e sponsorizimit është edhe projekti 'StadiumVision' i cili synon transformimin e Allianz Arena në një eksperiencë mbresëlënëse multimediale për të gjithë tifozët që e vizitojnë. Vetëm në nëntë muajt e fundit u instaluan rreth 115 KM fibra optike, 940 antena Wi-Fi dhe 70 ekrane HD. Informacionet shtesë rreth lojës, live-streams dhe përsëritjet e momenteve nga kamera me kënde të ndryshme do të shfaqen dhe do të jenë të aksesueshme për të gjithë fansat edhe në aplikacionin FC Bayern München dhe celularin nëpërmjet StadiumVision. Projekti është krijuar për t`i plotësuar ngjarjet sportive me më shumë emocion dhe për t`u mundësuar tifozëve të ndajnë vizitën e tyre në stadium me miqtë nga e gjithë bota.

Drejtori i menaxhimit të klientëve privatë për Deutsche Telekom, Michael Hagspihl u shpreh se: "Dixhitalizimi në ditët e sotme është i domosdoshëm si për të mbajtur fansat ashtu edhe për të eksploruar tregje të reja në biznes. Ne do të transmetojmë aksionin nga stadiumi në botë dhe do të sjellim reagimin botëror në stadium."

Deutsche Telekom dhe logo e njohur T janë të pranishme dhe në Shqipëri nëpërmjet Telekom Albania.

SHKARKO APP