Devoll, policia ndalon 22 refugjatë

Policia kufitare dhe misioni Frontex këtë herë kanë ndaluar 22 klandestinë nga vendet e Lindjes. Grupi i refugjatëve, midis të cilëve edhe 10 fëmijë janë të kombësisë kurde, afgane dhe siriane. Sipas Policisë Kufitare, refugjatët janë ndaluar në thellësi të tokës shqiptare dhe në afërsi të Trestenikut dhe Vërnikut në Devoll. Pas intervistave, familjarët u dërguan në qendrën e pritjes në Babrru të Tiranës, kurse pjesa tjetër është kthyer mbrapsht në Greqi. Çdo ditë policia kufitare ndalon mbi 20 klandestinë që hyjnë ilegalisht nga Greqia dhe kanë synim vendet e BE.

Si rezultat i masave të shtuara për forcimin e sigurisë kufitare, nga ana e shërbimeve të Policisë Kufitare dhe Migracionit, gjatë periudhës janar-shtator janë evidentuar dhe goditur 1 427 raste të paligjshmërisë. Janë kapur 376 persona në kërkim, janë identifikuar 285 raste të përdorimit të dokumenteve të falsifikuara ose 33% më shumë se e njëjta periudhë e vitit të kaluar dhe janë sekuestruar 398 dokumente të falsifikuara ose 30% më shumë se e njëjta periudhë e vitit të kaluar.

Si rezultat i masave të shtuara në kufirin jeshil, janë proceduar penalisht 819 shtetas, për kalim të paligjshëm të kufirit dhe janë kapur nga patrullat e Policisë Kufitare në afërsi të kufirit jeshil, në tentativë për të kaluar kufirin në mënyrë të paligjshme 8 795 shtetas, të cilët janë ndëshkuar me masë administrative gjobë. Janë evidentuar dhe goditur 29 raste të dhënies së ndihmës për kalim të paligjshëm të kufirit kundrejt fitimit.

SHKARKO APP