Dhuka: Hekurudha Vorë-Hani i Hotit dhe rruga Lezhë-Muriqan, projekte me rëndësi për Shkodrën
Ministrja e Shtetit, njëherësh Kryenegociatore e Shqipërisë në procesin e integrimit në BE, Majlinda Dhuka, e cila mori pjesë sot në turin e mirënjohjes të nisur nga Shkodra, foli për projektet ndërkufitare.
”Kemi shumë për të bërë në këtë drejtim, por Shkodra ka potencial të jashtëzakonshëm për shkak të pozitës gjeografike që ka. Në këtë kuptim ka disa projekte madhore rajonale që qeveria ka arritur t’i sigurojë si financim të vetin dhe BE që tani. Një projekt madhor dhe strategjik është hekurudha Vorë-Hani i Hotit. Kjo hekurudhë e lidh Shkodrën dhe gjithë Shqipërinë me rrjetin hekurudhor të Ballkanit dhe Evropës. Një tjetër projekt po kaq i rëndësishëm është rruga Lezhë-Muriqan, e cila po ashtu është pjesë e një korridori shumë të rëndësishëm, korridori Ardiatiko-Jonian që fillon nga Kroacia e zbret poshtë deri në Greqi, duke e bërë edhe Shkodrën një ndalesë të rëndësishme të turizmit dhe korridorit blu. Po punohet për këtë projekt dhe pritet të nisë vitin që vjen, ku një bizhu e këtij projekti janë dhe urat e Bunës”,-tha Dhuka.
Dhuka theksoi se një tjetër program i rëndësishëm është ai për zhvillimin ekonomik vendor dhe turizmit me fokus të veçantë Shirokën dhe Zogaj. Ka dhe dy projekte të bashkëpunimit ndërkufitar, është zona ndërkufitare me Malin e Zi dhe lidhja me Italinë dhe Malin e Zi.