Dhuna barbare ndaj Ramës në vitin 1997. Nikoll Lesi në Top Channel: E gjetëm të shtrirë, të mbuluar me gjak! SHIK ishte autori…

Kryeministri Edi Rama ka kujtuar dhunën barbare ndaj tij, nga pushteti i Sali Berishës e ndodhur në janar 1997.

Nikoll Lesi i ftuar në “Shqipëria Live” në Top Channel, foli pikërisht për natën që është dhunuar barbarisht Edi Rama. Lesi si botues i gazetës së famshme KOHA JONE, sidomos ndër vitet 1992-1997, ka qenë studion e Top Channel për këtë ngjarje makabre.

Ai ka rrëfyer se e ka gjetur të shtrirë në spital Ramën të mbuluar me gjak, ndërsa shtoi se SHIK i kohës së pushtetit të Berishës nuk lejonte mjekët që t’i bënin tetanosin, Edi Ramës. Ai rrinte e rënkonte nga dhimbjet e forta në kokë e në trup. Një mjeke por mundohej ti pastronte gjakun në fytyrë, por dy bodigardë të Presidentit Berisha dhe disa të tjerë shikas nuk po e lejonin. Donin ta linin të vdiste aty. Lesi atë natë në spital ka qenë me Ben Blushin dhe Martin Lekën.

Nikoll Lesi theksoi se Rama u dhunua nga pushteti i Sali Berishës, ndërsa shtoi se ishte një goditje politike, pasi Edi Rama ishte një zë i fortë kritik i sistemit të asaj kohe.

“Gazeta “Koha Jonë” atëherë ishte e vetmja gazetë e pavarur kundër regjimit të Berishës. Dua të flas pak për kontekstin historik të kohës ku nuk kishte rrjete sociale dhe as internet. As telefona celularë si ka sot- shtoi Lesi- ‘Koha Jonë’ kishte një numër të madh gazetarësh dhe intelektualësh të njohur, të cilët botonin në gazetë. Ishin pena të mëdha që shkruanin për KOHA JONE si Dritëro Agolli, Ismail Kadare, Sabri Godo, Moikom Zeqo, Fator Lubonja, Rexhep Qosja, Frrok Çupi, Kiço Blushi,  Vath Koreshi, Neritan Ceka, Preç Zogaj, Azem Hajdari, Spartak Ngjela, Blendi Gonxhja, Bujar Xhaferi e shumë të tjerë, e ku ndër ta spikaste Edi Rama. Ai vinte nga Parisi herë pas here. Ka punuar nga 1992-1997 si analist i gazetës. Në atë periudhë (1997), një nga zërat që ishte kundër pushtetit despotik të Berishës ishte Edi Rama. Pena e tij ishte e artë. Shkrimet e tij preknin në palcë sistemin e korruptuar.

Më datë 22 janar 1997, në darkë vonë na thanë që kanë goditur Edi Ramën. Morëm një makinë, nga ato të kohës së Enverit, ku mezi futej marshi dhe nxituam. Ishte një gjendje shtetrrethimi, realisht, ndonëse akoma nuk kishte dalë ligji i Gjëndjes së Jashtëzakonshme nga parlamenti. Garda e Republikës dhe SHIK bënte ligjin në atë kohë. Ka patur një furgon të bardhë që e përdorte grupi i shoqerimit të Presidentit Berisha, ata ishin killera; rrihnin, masakronin dhe na përndiqnin kudo nëpër Tiranë.

Kur arritëm në spital pamë që Edi Rama rrinte i shtrirë, i gjakosur në një krevat. Ishte një goditje politike, hakmarrje për shkrimet e tij në KOHA JONE. Kam qenë dëshmitar i kohës. Mjekët duhet ti bënin tetanosin, ne i pyetëm ata pse nuk po e b֝ënin dhe na thanë nën zë që i kishin, por ishin disa anëtarë të SHIK (shërbimi sekret shqiptar) dhe të policisë kriminale që nuk lejonin mjekët që Ramës t’i bëhej tetanosi. Ata, të SHIK-ut, thonin me të madhe “le të vdesë”.

Martin Leka, i cili ishte me mua atë natë, por edhe Ben Blushi, tha që njihte një farmacist, ku shkuam e morëm tetanosin. Dikur ia bënë me njëmijë halle gjilperën.

Të nesërmen Fatos Lubonja ka bërë një shkrim në mbrojtje të Edi Ramës që është shitur si fotokopje, pasi gazeta ishte shitur krejt, të mos harrojmë e nderuar kolege e Top Channel, se asokohe KOHA JONE kishte tirazh shitje në ditë prej 100 mijë kopje.

Ajo ngjarje që i ndodhi Ramës ishte një sinjal për ne si gazetar që krimi i pushtetit kishte zbritur në rrugë, të godiste pa meshirë. Në 3 mars të 1997 u dogj redaksia e gazetës “Koha Jonë” nga segmentet e pushtetit të PD.

Të punoje gazetar  në KOHA JONE në atëkohë, duhet të mendoje edhe vdekjen” tha ndër të tjera Nikoll Lesi, në Top Channel. Në lidhje me këtë temë, Lesi theksoi se “kjo është e verteta e ngjarjes, sepse kam qenë personalisht deshmitar në spital bashkë me dy kolegët Ben Blushi dhe Martin Leka”.

Lesi foli, sipas TCH, edhe për zgjedhjet e këtij viti dhe si do të jetë kjo fushatë elektorale, të cilën ai e cilësoi se do të jetë më e vështira e këtyre 34 vitëve, përjashtuar vitin 1997, kur kishte zgjedhje në kushtet e luftës civile.

 

SHKARKO APP