Dhuna ndaj aktivistëve të Teatrit, Kalaja tregon se ç’ndodhi mbrëmjen e djeshme
Avokatja edhe aktivistja e çështjes së Teatrit Kombëtar Adriana Kalaja, në një intervistë për Ora News ka rrëfyer dhunën policore të ushtruar ndaj aktivistëve Astrit Seranaj, Ergys Mërtiri, Gentian Hasani dhe Donald Martini mbrëmjen e shkuar.
Aktivistët madje u shoqëruan në komisariatin nr.1 në kryeqytet përreth 4 orë.
Sipas Kalasë, dhuna ndaj tyre ka vazhduar edhe gjatë shoqërimit në komisariat, ndërsa gjithçka ka nisur pasi një prej aktivistëve po futej në pedonale.
Adriana Kalaja: “Fillimisht unë do doja ta sqaroja edhe për publikun. Ne, edhe pas aktit makabër të prishjes së Teatrit, e kemi vazhduar në mënyrë konsekuente protestën tonë. Qoftë me prezencë fizike në sheshin e Teatrit, sepse ai shesh na përket të gjithëve ne, qoftë me peticionin që ndërmorëm në të gjithë Shqipërinë për rindërtimin e Teatrit aty dhe ashtu siç ishte, edhe me gjithë betejën ligjore që kemi ndërmarrë dhe me gjithë komunikimet që kemi me partnerë vendas dhe të huaj. Jo vetëm për rindërtimin e Teatrit por për shpalljen fajtor të personave përgjegjës që arritën në prishjen e kësaj vlere shumë të madhe për të cilën edhe Europa Nostra bëri veprimet e saj.
Arkitekti Astrit Seranaj, i cili ka përgatitur dosjen për Europa Nosta, po vinte në kafenë ku mblidhemi dhe bëjmë live-n e përnatshëm. Shikojmë se me tu afruar te hyrja e pedonales, te hyrja e kalasë, disa forca policie të pranishme aty kanë mbyllur hyrjen e pedonales dhe ashtu siç e tregon Astriti se mbrëmë ishte edhe i rënduar, fizikisht ishte futur brenda pedonales, ata i kanë thënë të dalë jashtë. Ka kërkuar arsyen sepse realisht forcat e policisë e kanë detyrim ta bëjnë të ditur pse ky aks është i mbyllur dhe për të më tepër duhet ta bëjnë publike. Ata kanë ushtruar dhunë, duke e nxjerrë me forcë. Kanë njoftuar edhe disa forca të tjera për ndihmë dhe në këtë moment Seranaj ka komunikuar me miq të tjerë që ndodheshin në kafe, Ergys Mërtiri, Gentian Hasani dhe Donald Martini. Dhe këta kanë shkuar në vendngjarje pa patur dijeni çfarë kishte ndodhur por edhe për të evidentuar pse po shoqërohet në polici.
Në momentin që këta kanë shkuar në vendngjarje dhe të filmonin ngjarjen policia ka filluar të ushtrojë dhunë psikologjike. I ka marrë telefonin Ergysit, i ka hedhur telefonin edhe Donald Martinit dhe kanë tentuar ti shoqërojnë me forcë drejt makinës e më pas drejt komisariatit.
E para, në frymë të Kushtetutës, asnjë qytetar nuk përbën vepër penale nëse fotografon ose filmon një ngjarje të dhunshme, qoftë edhe policia aty.
Edhe po ta shihni, pas orës 19:05 minuta, videoja e bërë nga Ergys Mërtiri nuk hapej më pasi në fund të videos dëgjohet biseda mes dy policëve duke i thënë njëri-tjetrin “mbyllje dhe fshije”.
Vetë aktivistët e kanë pohuar diçka të tillë, përmes prononcimeve për media të ndryshme.
Sipas Aleancës, gjithçka e ka fillesën tek dhuna e ushtruar më 17 maj, kur shëmbja e Teatrit filloi përgjatë kohës kur mbrojtësit e saj ishin ende brenda.