Dhuna në Borizanë, por pozitat e Rrajave u lehtësuan. Prokuroria kërkon riekspertim të dytë
Nuk do të ketë ende një vendim për masën ndaj të akuzuarve për dhunën në Borizanë, pas ekspertimit që parathoshte një lehtësim të mundshëm të akuzave ndaj pjesëtarëve të fisit Rraja. Në nisje të hetimeve, personat e përfshirë në këtë ngjarje u akuzuan për “plagosje të rëndë me dashje, në bashkëpunim”, por më pas Prokuroria ka vlerësuar se hetimi duhet të vijojë për “plagosje të lehtë me dashje”.
Prokuroria ka kërkuar një riekspertim të dytë. Në çdo rast, cilido që të jetë ekspertimi mjekoligjor, ndryshimet e reja të Kodit Penal parashikojnë dhe seancën me gjyqtarin paraprak, i cili mesa duket do të jetë hallka e fundit nëse rrahja brutale e dy pjesëtarëve të familjes Maja të rikthehet për hetime të mëtejshme.
Jashar Maja thotë se nuk janë dakord me vendimin dhe do të kërkojnë riekspertim të kësaj çështje nga fillim deri më tani. “Bilbili ka kryer një ndërhyrje kirurgjikale në kokë në Itali për shkak të dhunës së ushtruar, do të kryejë sërish një ndërhyrje tjetër në dorë gjatë këtyre ditëve. Unë nuk e di si e quan prokuroria plagosje të lehtë sepse janë pamjet filmike që tregojnë të gjithë dhunën e ushtruar ndaj meje dhe Bilbilit. Kërkoj drejtësi për këtë çështje”, u shpreh Maja.