Dhuna në familje, burra, gra e të moshuar ankohen në polici

Fenomeni i dhunës në familje vijon të jetë shqetësues, pavarësisht se Policia për çdo rast të denoncimit ka lëshuar urdhrat e mbrojtjes.

Vetëm të mërkurën policia e Tiranës ka regjistruar pesë raste të tilla dhune. Ankesat vijojnë të jenë të shpeshta, ndërsa në pjesën më të madhe të dëmtuarat jenë gratë. Por, nuk kanë munguar edhe denoncimet nga burrat e dhunuar.

Një burrë nga Kavaja është “viktima” e radhës së gruas së tij. Të mërkurën G. H, 37 vjeç nga lagjja nr. 5 në Kavajë, denoncoi ish-bashkëshorten e tij, me inicialet A. N, me pretendimin se ajo e dhunonte psikologjikisht. Ndërkohë, po të mërkurën një burrë i moshuar 80-vjeçar në Tiranë, është denoncuar nga bashkëshortja e tij 74-vjeçare për ushtrim të dhunës psikologjike.

Që prej fillimit të këtij viti, policia e kryeqytetit ka plotësuar mbi 400 praktika të urdhrave të mbrojtjes të cilët janë regjistruar nga Gjykata e shkallës së parë në Tiranë.

Në periudhën maj-korrik, Policia e kryeqytetit ka regjistruar 159 urdhra mbrojtjeje në total dhe muaji korrik ka pasur numrin më të madh kërkesave për urdhra mbrojtjeje me 60 të tillë. Që prej muajit qershor, policia ka regjistruar 128 raste të dhunës në familje, ndërsa blutë kanë arrestuar 51 persona të përfshirë në krimin në familje

SHKARKO APP