Dhuna në internet/ Në Shqipëri, 93 incidente për ngacmime dhe dhunë seksuale ndaj fëmijëve gjatë 2021
93 incidente të regjistruara për ngacmime dhe dhunë seksuale përmes internetit ndaj fëmijëve janë raportuar në Shqipëri gjatë vitit 2021. Të dhënat u bënë me dije nga Qendra për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve dhe Platforma Isigurt.al, në ditën Ndërkombëtare për Internet të Sigurt. 46 nga 93 incidentet e raportuara i përkasin Tiranës dhe pjesa tjetër Elbasanit, Fierit, Durrësit, Vlorës, Peqinit dhe qyteteve të tjera.
“64 % e incidenteve janë raportuar nga djem/burra dhe vetëm 32 për qind nga vajzat/gratë. 4 % nuk e kanë deklaruar seksin/gjininë e tyre”, thuhet në raport. Po ashtu edhe numri i faqeve të internetit, që u raportuan për materiale me përmbajtje të dhunës seksuale me fëmijët, u trefishua gjatë vitit 2021.
“Mbi 2800 faqe me përmbajtje të dhunës seksuale me fëmijë u raportuan pranë Linjës Kombëtare për Internet të Sigurt në Shqipëri”, shkruhet në raport. Mosha më e prekur e fëmijëve dhe adoleshentëve nga incidentet në internet është grup-mosha 15-17 vjeç, e cila përbën rreth 47% të të gjithë incidenteve të raportuara.
Tirana është qyteti kryesor nga ku janë raportuar të dhënat me thuajse 50% të incidenteve, ndjekur nga Elbasani, Fieri, Durrësi, Peqini dhe Vlora. Në raport shkruhet po ashtu se Instagrami paraqitet si platforma më me shumë incidente të raportuara ndaj fëmijëve dhe të rinjve, e ndjekur më pas nga Youtube dhe Facebook.
KOHA JONË SONDAZH

