Dhunë në familje dhe drogë/Policia: 9 të arrestuar në Tiranë
Pandemia e Covid-19 ka shtuar dhunën në familje dhe trafikantët kanë shitur drogë edhe pse Shqipëria është në shtetrrethim. Policia e Tiranës ka vënë në pranga 9 persona për vepra të ndryshme penale, dy prej të cilëve ishin shpallur në kërkim. Nga ana tjetër, mësohet se janë sekuestruar lëndë narkotike heroinë dhe sende të tjera të kundërligjshme.
Njoftimi i plotë
Policia arrestoi shtetasin A.A, 30-vjeç, banues në Tiranë. Gjatë kontrollit fizik dhe në banesë, Policia gjeti dhe sekuestroi në cilësinë e provës materiale 11.4 gr lëndë narkotike e llojit heroinë, e ndarë në doza gati për shitje. Po nga specialistët për Hetimin e Krimit të Komisariatit Nr. 1 u bë arrestimi në flagrancë, për veprën penale “Dhuna në familje”, i shtetasit E.Ll, banues në Baldushk, pasi gjatë një konflikti për motive të dobëta me vëllanë dhe nipin e tij kanë goditur njëri-tjetrin me sende të forta. Uprocedua në gjendje të lirë për shkak të moshës, shtetasi M.Ll. si edhe u bë shpallja në kërkim e shtetasit B. Ll.
Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 6 arrestuan në flagrancë, për veprën penale “Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit”, shtetasin O.K, banues në Tiranë, pasi ka thyer masën e sigurisë “arrest në shtëpi”. Për veprën penale “dhuna në familje”, ra në pranga shtetasi N.F, pasi ka ushtruar dhunë fizike ndaj bashkëshortes. Specialistët e Qarkullimit Rrugor arrestuan në flagrancë shtetasin B.B, pasi në rrugën “Shefqet Ndroqi” u kap duke drejtuar mjetin në gjendje të dehur.
Në pranga ra edhe shtetasi Xh.H, pasi në vendin e quajtur “Marikaj”, ka aksidentuar një shtetas, i cili ndodhet në spital nën kujdesin e mjekëve. Nga strukturat e DVP Tiranë janë kapur dhe ndaluar shtetasit: M.M i shpallur në kërkim për veprën penale “dhuna në familje” dhe K.Gj, i shpallur në kërkim për veprën penale “drejtim mjeti në mënyrë të parregullt”.