Dhunimi i 28-vjeçares, avokati: Ishte tentativë vrasjeje. Berisha: Rendi, në dorë të krimit
28 vjeçarja e cila ishte mbajtur peng dhe dhunuar nga bashkëjetuesi Gleard Gusholli, ka rrëfyer dramat dhe torturat që ka përjetuar. Ajo thotë se erdhi në Tiranë që të krijonte familje me të, por ai kishte synim që ta bënte të përjetonte tmerr dhe donte të hakmerrej ndaj saj.
Në rrëfimin që bëri para mediave tregoi se e ka detyruar të konsumojë drogë, e torturonte duke e rrahur me këmbë karrigeje, i fuste gishtat në fyt dhe tentonte ta mbyste në dush. E rënduar psikologjikisht dhe fizikisht, thotë se nuk po duronte dot më dhe donte të ndërmerrte aktin ekstrem, por nuk e linte partneri që të dilte jashtë.
Sa i përket hakmarrjes, sipas 28-vjeçares, i dashuri pretendonte se familja e saj kishte gisht në një kallëzim ndaj tij që e ndalonte të hynte në Gjermani por në fakt thotë se nuk e kishin denoncuar asnjëherë.
Avokati i saj mbrojtës, Enea Cenko ka kërkuar që të shtohen 2 vepra penale për autorin. Sipas Cenkos, nuk mund të lihet pa u akuzuar për pengmarrje dhe tentativë vrasje. Po ashtu i bën thirrje shtetit që ta marrin nën mbrojtje 28-vjeçaren, e cila u shpreh se do të largohet sa më parë nga Shqipëria.
Politika ka reaguar. Sali Berisha thotë se në Tianë dominon mafia e lidhur me qeverinë. Ai shtoi se ngjarja e ndodhur ndaj të resë së fundmi, tregon se jeta është bërë gjithnjë e më e pasigurt dhe se rendin e ka në dorë krimi dhe mafia.