Dhunimi i aktivistes së PD-së, Ministria e Brendshme: Ka nisur hetimi

Elsa Bita

Ministria e Brendshme ka reaguar pas dhunës së ushtruar ndaj aktivistes së PD-së, Elsa Bita, e cila thotë se drejtori i Policisë së Divjakës e ka dhunuar. Nëpërmjet një njoftimi, Ministria e Brendshme thotë se nën drejtimin e Prokurorisë dhe SHÇBA, po kryhen veprimet hetimore për të gjithë rrethanat. Gjithashtu sipas tyre, me urdhër të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit ka nisur një hetim administrativ nga Drejtoria e Standardeve Profesionale.

Reagimi i plotë

Në lidhje me ngjarjen e ndodhur sot paradite në Divjakë, ku një shtetase pretendon se është dhunuar nga drejtuesi lokal i Policisë, sqarojmë se: Nën drejtimin e Prokurorisë, SHÇBA po kryen veprime hetimore mbi gjithë rrethanat.

Ndërkohë, me urdhër të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, ka nisur një hetim administrativ nga Drejtoria e Standardeve Profesionale.

Në fund të gjithë veprimeve hetimore administrative dhe verifikimeve të tjera nën drejtimin e Prokurorisë, do të bëhen publike rezultatet dhe masat e marra mbi rastin.

Policia e Shtetit mbetet e angazhuar për të përmbushur çdo detyrim ligjor, për të garantuar një proces zgjedhor të lirë e të qetë, si dhe rend e siguri publike.

 

SHKARKO APP