Dhunimi i avokatit/ Drejtori i Policisë Tiranë, Tonin Vocaj: Autorët kanë lidhje, goditje për shkak të detyrës

Drejtori i Policisë Tiranë, Tonin Vocaj doli në një konferencë për shtyp, ku dha detaje mbi dhunimin që iu bë mëngjesin e sotëm në Tiranë, avokatit Sokol Mëngjesi nga katër persona. Ata janë identifikuar si Romario Tabaku 26-vjeç, Dorian Alia 32-vjeç, Drivald Alia 21-vjeç, Elton Kasaj 33-vjeç.

Autorët sipas Vocajt kanë lidhje me njëri-tjetrin, lidhje krushqie dhe se avokati është goditur për shkak të detyrës. Policia sqaron se Romario Tabaku ka larguar autorët nga vendi i ngjarjes me mjetin e tij. “Autorët nuk janë të paguar, por janë në lidhje krushqie me njëri-tjetrin. Janë takuar një muaj më para para se të ndodhte ngjarja dhe janë konsultuar për ngjarjen”,-tha Vocaj.

Organizator i këtij sulmi dhe urdhërues sipas policisë është Dritan Jani Nano. Policia ka vënë në dispozicion 20 mijë euro për këdo që mund të ndihmojë për të kryer arrestimin e tyre. Tre nga autorët janë në kërkim, ndërsa Dorian Alia është vetëdorëzuar. Drejtori Vocaj ka treguar se është goditje përshkak të detyrës.

”Nga veprimet rezulton se Sokol Mëngjesi me profesion avokat është goditur për shkak të detyrës. Avokati ka përfaqësuar ligjërisht në një proces gjyqësor një familje që kishte të trashëguar një pronë në Tiranë, proces që është fituar nga pala që mbronte avokati.

Ish-klientët nuk kanë pranuar që ta paguajnë. Pala fituese nuk ka respektuar detyrimet kontraktore që ka pasur me studion ligjore. Jo e gjithë pala, por disa nga kontraktorët. Si të tjerë dhe kjo degë që ka kryer sulmin nuk kanë rënë dakord me detyrimet që kanë pasur nënshkruar. Në vijim të veprimeve është shoqëruar Dritan Jani Nano, i cili u ndalua si organizator i kësaj ngjarje të rëndë kriminale”,- tha Tonin Vocaj.

SHKARKO APP