Dhurata që u kthye në tragjedi, nëna ruse: Skafi skëterrë, pashë trupin e vajzës që…
Tatjana Roik kishte zgjedhur Ksamilin që t’ia bënte surprizë së bijës, për të festuar 15-vjetorin e saj por festa e adoleshtenes u kthye në tragjedi për 53- vjeçares nga Shën Petersburg. Tatiana ka rrëfyer se ajo bashkë me vajzën e saj të vetme, Ksenia, kishte ardhur pak ditë para se të ndodhte kjo tragjedi e rëndë për të.
“Ishte hera e parë që vinim në Shqipëri. Ksenian e kisha fëmijë të vetëm dhe doja ta festonte ditëlindjen e saj të 15-të në një vend që nuk kishim qenë më parë. Ksamili m’u duk vendi i duhur, por kurrë nuk e kisha menduar se pushimet tona do të përfundonin kështu”, është shprehur para hetimorëve 53- vjeçarja ruse.
Gjatë gjithë kohës, pranë i ka qëndruar një mjek, pasi për shkak të traumës së përjetuar ajo thuajse nuk ka qenë në gjendje të flasë. Por për shkak se dëshmia e saj mund të kishte të dhëna që do t’i shërbenin hetimit dhe identifikimit të autorit që përplasi për vdekje të bijën, është parë e arsyeshme t’i merrej dëshmia edhe në gjendjen që ka qenë.
Tatjana Roik ka deklaruar se ditën e ngjarjes (e premte, më 21 korrik), ato kishin dalë në det që herët dhe në orët e mesditës, ato u futën për t’u larë në det, por e bija ka përparuar më tej duke i thënë së ëmës se do të largohej më tej.
“U futëm të dyja në det, por vajza më tha se do të notonte më larg. Ajo dinte mirë not, ndaj në fillim, nuk u merakosa. Më pas më humbi për pak nga sytë dhe nuk po orientohesha se çfarë po ndodhte. Pashë skafin që lundronte me shpejtësi skëterrë aty ku ishte vajza dhe dhashë alarmin tek plazhistët e tjerë. Pashë edhe trupin nga larg që nuk po lëvizte… Erdha për të festuar këtu, nuk e mendoja kurrë këtë fund tragjik”, është shprehur më tej gruaja e ardhur nga Shën Petersburgu për “Panoramën”.

