Digjemi në verë, përmbytemi në dimër
Pas emergjencës së zjarreve të verës, vendi po përballet me dëme të mëdha këtë fillim viti nga përmbytjet. Qeveria po përgjigjet duke ulur buxhetin për emergjencat civile. Nga më shumë se 5.4 miliardë lekë në projektbuxhetin 2025, për vitin e ardhshëm për emergjencat civile janë parashikuar më pak se 5.3 miliardë lekë. ”Nuk kam se çfarë them. Buxheti duhej të ishte rritur, jo ulur. Kur përballesh çdo vit me zjarre, përmbytje dhe emergjenca të tjera, ulja e fondeve për mbrojtjen civile është një sinjal i gabuar për pushtetin vendor”, tha për A2 CNN Adelina Farrici, Shoqata për Autonomi Vendore.
”Është vërtet paradoksale. Nga njëra anë flasim për ndryshime klimatike dhe rritje rreziku, nga ana tjetër planifikojmë më pak para për t’u përballur me to”, u shpreh Agron Haxhimali, Drejtor i Institutit për Bashkitë Shqiptare. Qeveria ndërkohë ka rritur lehtë fondet për ujitjen dhe kullimin. Vitin e ardhshëm 61 njësive të pushtetit vendor do t’iu ndahen gati 1.2 miliardë lekë nga 1 miliard këtë vit.
Po a mjaftojnë 200 milionë lekë më shumë për të parandaluar përmbytjet? “200 milionë lekë më shumë për ujitjen dhe kullimin nuk mjaftojnë për të parandaluar përmbytjet. Këto fonde mezi mbulojnë mirëmbajtjen minimale, jo investimet që duhen për të ulur realisht riskun”, deklaroi për A2 CNN Adelina Farrici, Shoqata për Autonomi Vendore. “Problemi nuk është vetëm shuma, por edhe shpërndarja dhe planifikimi. Pa një strategji afatgjatë, fondet shtesë rrezikojnë të shkojnë vetëm për ndërhyrje emergjente, jo për parandalim”, theksoi Agron Haxhimali, Drejtor i Institutit për Bashkitë Shqiptare.
Veç këtyre fondeve Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural ka fonde të dedikuara për Menaxhimin e infrastrukturës së kullimit dhe ujitjes, që shkojnë për investime në kanalet kulluese apo ujitëse si dhe në hidrovore kryesisht në aspektin bujqësor. Janë 3.6 miliardë lekë për këtë qëllim në buxhet, teksa paratë në dispozicion vitin e kaluar ishin 3.4 miliardë lekë. Vetë bashkitë kanë fonde të dedikuara për ujitjen dhe kullimin që i marrin si transfertë nga buxheti i shtetit, që për këtë vit janë pak më shumë se 1.6 miliardë lekë, me rritje të lehtë në raport me vjet.
KOHA JONË SONDAZH

