Diktaturë e durueshme apo e padurueshme
Në emisionin e tij “Ju flet Moska”, Kastriot Myftaraj ka bërë një analizë për diktaturën në Shqipëri. Sipas tij çështja nuk është nëse ka apo nuk ka dikaturë, po sa e durueshme është ajo.
Pjesë nga deklarata
Diktatura nuk ka ardhur nga vullneti i diktatorit, por ka ardhur edhe sepse një qeverisje e një grupi politik nuk ka ndeshur kundërshtarë, rivalë. Natyra është e tillë që për inerci një forcë është sunduese përderisa nuk ndesh një forcë tjetër që ti kundërvihet. I njëjti rregull vlen edhe në demokraci. Një parti mund të rrijë në pushtet teorikisht pa fund, nëse nuk gjendet një rival i aftë për ta mundur.
Sa më shumë zgjat pushteti aq më shumë zgjerohet pushteti në shoqëri. PS po e zgjeron pushtetin në drejtësi. Presidenti ka një pushtet simbolik, i cili më tepër krijohet nga vullneti i tij. Ato vrullet që merr presidenti ndalen me vota në parlament. Janë grusht që bien në sfungjer. Për rrethana të brendshme apo të jashtme dhe për kombinim të këtyre rrethanave në një vend krijohet një situatë kur qeverisja shndërrohet në diktaturë.
Nëse themi që jemi në diktaturë këtu nuk do të thotë që po bëjmë propagandë. Jo, në diktaturë jemi sepse e tillë është inercia e politikës. Si në natyre, shoqëri, shtet ka rregulla të forcave që veprojnë. Unë them se Rama e ka kuptuar dhe i drejtohet shoqërisë me ton diktues, pra si diktator faktik.
Në Shqipëri çështja nuk është ka apo nuk ka demokraci, por është a do të kemi diktaturë të durueshme apo të padurueshme. E vetmja gjë që nuk ka kuptuar Rama është që diktaturat përpiqen të bëhen të durueshme. Edhe Enver Hoxha përpiqej ta bënte të durueshme në mënyrën e tij brenda izolimit që kishte krijuar. Opozita shqiptare duket se është pajtuar këtë dhe është pikërisht ajo që ka bërë që diktatura të jetë e durueshme. Kauza që ka bërë opozita këtë vit është çështja e teatrit.