Dinamo skuadër me traditë, por duam kualifikimin

 

Presidenti i Skënderbeut, Ardian Takaj e priti me qetësi shortin e fazës play off të UEFA Champions League, duke e pranuar se Dinamo e Zagrebit është një skuadër me traditë, por sipas tij, ky fakt nuk do ta pengojë ekipin e tij për të kërkuar maksimumin ndaj kroatëve në 180 minutat e nxehta mes Elbasanit dhe Zagrebit.

“Dinamo e Zagrebit është një nga ekipet më të forta të rajonit dhe ne e kemi marrë përherë si shembull por kjo nuk do të thotë asgjë sepse në futboll ka surpriza dhe kush do të japë më shumë në fushë, ai do të ketë rezultate”.

Numri 1 i klubit korçar shton se fakti që skuadra është kualifikuar në fazën e grupeve të Europa League, nuk duhet të shërbejë si një motiv vetëkënaqësie.

“Jemi pranë një momenti historik dhe ne duhet të jemi shumë të vëmendshëm dhe shumë serioz. Po bëjmë llogaritë vetëm për Champions League në këto momente dhe nuk po mendojmë për Europa League”.

Apoel Nicosia dhe BATE Borisov do të ishin dy kundërshtarë më të pëlqyeshëm për bardhekuqtë pasi Skënderbeu i njeh më mirë për shkak të përballjeve me këto dy klube në të shkuarën.

“Normalisht që do të ishin në preferencat tona sepse kemi luajtur dhe i kemi njohur nga afër. Gjithsesi edhe për Dinamon e Zagrebit dimë shumë, pavarësisht se nuk kemi asnjë eksperiencë”.

Salihi është njeriu i momentit në Korçë dhe Takaj siguron se ai pavarësisht se ka një kontratë vetëm për ndeshjet eliminatore, do të largohet jashtë shtetit vetëm në rast të një oferte të rëndësishme.

“Për Champions League do të qëndrojë, por nëse do të ketë një ofertë nga jashtë do ta lejojmë për një ekip të madh dhe me një kontratë shumë të mirë, përndryshe nuk bëhet fjalë që ai do të jetë një lojtar i Skënderbeut”.

Në lidhje me merkaton, presidenti i kampionëve premton një tjetër afrim brenda datës 10, ndërsa shton se skuadra mund të përforcohet edhe me dy elementë të tjerë pas dy ndeshjeve të radhës në Europë.

SHKARKO APP