Diplomatët e huaj bashkëbisedojnë me të rinjtë në kampin veror të LRI

Ambasadori i Austrisë, z. Thomas Schnöll, Ambasadori i Izraelit, z. Boaz Rodkin dhe Zv. Ambasadori i Francës, z. Didier Guilbert bashkëbisedojnë me të rinjtë e të rejat për çështje si integrimi dhe arsimi

Pjesë e seminareve në kampingun e LRI-së në bregdetin e Jalës u bënë diplomat të ndryshëm të vendeve të Bashkimit Europian dhe jo vetëm. Ambasadori i Austrisë në Tiranë, z. Thomas Schnöll, Ambasadori i Izraelit, z. Boaz Rodkin dhe Zv. Ambasadori i Francës, z. Didier Guilbert morën pjesë në bashkëbisedimet e organizuara në kampingun e LRI-së, duke biseduar me të rinjtë dhe të rejat për çështje të ndryshme si arsimi dhe integrimi në BE.

Ambasadori i Austrisë në Tiranë, z. Thomas Schnöll, në përgjigje të interesit të pjesëmarrësve në këtë aktivitet ka folur mes të tjerash për çështje si eurozona si edhe për rolin e të rinjve në procesin integrues të Shqipërisë në BE.

“Ka nevojë për një sistem arsimor që t’i drejtojë të rinjtë drejt tregut të punës dhe mund t’iu jap si shembull arsimin profesional si një model i suksesshëm në Austri e që nëse shtrihet edhe këtu do të ketë efekte më të mira për brezin”, – tha Ambasadori i Austrisë teksa më tej u diskutua edhe për rolin e partive politike në Shqipëri, për përfshirjen e të rinjve në organet vendimmarrëse.

Zv.Ambasadori i Francës në Tiranë, z. Didier Guilbert, i cili bashkëbisedoi me të rinjtë e LRI-së për eksperiencën e tij në Shqipëri nga viti 1997 e deri më sot. Ai u shpreh shumë i lirshëm për të treguar dhe për t’iu përgjigjur pyetjeve të të rinjve. Z.Guilbert shprehu mendimin se duhet të ketë ndërthurje dhe shkëmbim eksperiencash ndërmjet të rinjve.

Ndërsa, Ambasadori i Izraelit, z. Boaz Rodkin gjithashtu i pranishëm në kampin e LRI-së, diskutoi me të rinjtë rreth arritjeve dhe inovacioneve të shtetit të Izraelit në mbarë botën. Z. Rodkin tha se me vullnet, përgjegjësi e vendosmëri asgjë nuk është e pamundur.

SHKARKO APP