Diplomatët me Ramën, opozita: Po përfshihen në fushatë zgjedhore

Qeveria ”Rama 3” akuzohet nga opozita, se në shkelje të ligjit ambasadorët po përdoren për fushatë elektorale për Partinë Socialiste në diasporë. Akuza u mohua nga Igli Hasani, ministri i Jashtëm.

Ai deklaroi në Komisionin Parlamentar për Çështjet Evropiane se takimet e kryeministrit Edi Rama me diasporën nën parullën “Krenar për Shqipërinë” nuk janë politike dhe partiake por të natyrshme me çdo shqiptar që jeton e punon jashtë vendit.

Ftesës së Igli Hasanit për pjesëmarrje të opozitës në takimet e kreut të qeverisë, Jorida Tabaku iu përgjigj: ”Caku është që përfaqësuesit e shërbimit diplomatik nuk mund të marrin pjesë në aktivitete politike partiake”.

Partia Demokratike kallëzoi në SPAK kryeministrin Edi Rama, Ministrin e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Taulant Balla, dhe disa ambasadorë në disa përfaqësi diplomatike. Sipas PD-së diplomatët kanë shpërdoruar funksionin e tyre duke cenuar barazinë në zgjedhje.

SHKARKO APP