Dita Botërore e Diabetit, Manastirliu: 8.6% e të kontrolluarve në 2019, dolën pozitiv
Në Ditën Botërore të Diabetit, Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, bëri të ditur se Shqipëria financon 100% të gjithë terapinë e mjekimit për personat që vuajnë nga diabeti dhe bëri apel për kryerjen në kohë të kontrolleve periodike, për të parandaluar komplikacionet e kësaj sëmundjeje. ”Qeveria ka garantuar trajtimin e 78 mijë personave me diabet, me një financim prej mbi 15 milion dollarë në vit vetëm për rimbursimin e barnave për diabetikët. Personat me diabet përfitojnë falas 33 lloje barna që përbëjnë terapinë e plotë për këtë sëmundje”.
Duke theksuar se një lehtësi që i kursen çdo familje që ka një fëmijë apo të ri me diabet 1.2 milion lekë në vit, është rimbursimi i fishave të diabetit falas, Manastirliu tha se po vlerësohet mundësia për shtrirjen e mbulimit edhe për të moshuarit mbi 65-vjeç. ”Pas fëmijëve 0-18 vjeç mundësuam fishat e diabetit falas edhe për studentët. Nga Janari 2019 janë shpërndarë 346 mijë fisha diabeti falas për fëmijët dhe të rinjtë deri në 25-vjeç. Po vlerësojmë mundësinë për zgjerimin e mbulimit me fisha falas edhe për pensionistët”.
Manastirliu gjatë fjalës së saj tha se lehtësimi i procedurës për personat diabetikë të cilët detyroheshin të vinin në QSUT për një konsulutë u ka kursyer atyre kohë duke e mundësuar atë afër vendbanimit. ”Nuk është më e nevojshme që pacientët nga rrethet të vijnë në QSUT, por konsultat po realizohen nëpërmjet telemjekësisë mes QSUT dhe spitaleve rajonale, ku vetë pacienti merr shërbimin dhe përfiton trajtimin me rimbursim, pa patur nevojë të bëjë kilometra të tëra për të ardhur në Tiranë. Një tjetër lehtësirë është ofrimi i recetave 6 mujore për të gjithë diabetikët e stabilizuar”.
Në Shqipëri janë të diagonstikuar rreth 78 mijë diabetikë, ndërkohë që çdo vit diagnostikohen afërsisht 4 mijë raste reja me diabet. Diabeti ka kosto të lartë shëndetësore, pasi është një sëmundje që po nuk u zbulua dhe u mjekua në kohë dhe në mënyrë të rregullt, ai shkakton ndërlikime serioze si: sëmundje kardiovaskulare, verbim, sëmundje të veshkave- deri në insuficiencë renale e dializë, infeksione urinare, amputime të këmbëve etj. Tek të sëmurët diabetikë rreziku për sëmundje kardiovaskulare është 2-4 herë më i lartë se tek personat pa diabet, ose amputimet e këmbës janë 10 herë më të shpeshta se tek personat pa diabet.
Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, diabeti është shkaku i 7 i vdekjeve në Botë. Diabeti prek rreth 5% qind të popullsisë së botës dhe numri i të sëmurëve është vazhdimisht në rritje, duke u dyfishuar çdo 10 vjet. Në botë sot numërohen mbi 420 milionë diabetikë dhe në vitin 2030 mendohet se mund të jenë afërsisht 500 milionë diabetikë, apo 6.3 % e popullsisë së botës të jetë prekur nga diabeti.