Erion Veliaj i bashkohet aksionit të pastrimit
Sot në Ditën Botërore të Pastrimit, qytetarë dhe vullnetarë, të mbështetur nga punonjësit e ndërmarrjeve të bashkisë së Tiranës, si dhe 27 njësitë administrative, morën pjesë në aksionin e pastrimit të Tiranës. Aksionit të pastrimit iu bashkua edhe kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj së bashku me banorët e Njësisë 13 në kryeqytet.
Kryebashkiaku nënvizoi se kjo fushatë pastrimi i rrit akoma më shumë vlerën qytetit dhe se e rëndësishme është që qytetarët të respektojnë hapësirën përreth tyre, duke mos hedhur mbeturina në tokë, por në vendin e duhur.
“Më mirë se sa pastrimi është e rëndësishme të mos bëjmë pis që në fillim. Tirans nuk të bën adresa e shtëpisë, të bën mentaliteti. Ti vetë e ul vlerën e shtëpisë tënde, në momentin që hedh plehrat poshtë ballkonit e të rroftë që e ke shtëpinë në një adresë shumë të mirë. Në momentin që ti hedh dhe bën pis i ke ulur vetë vlerën shtëpisë tënde. Fakti që çdo vit ka më pak vatra dhe fakti që çdo vit në fakt janë lagjet më të varfra të Tiranës që janë më pastra dhe janë këta pasunarët e rinj që ende duan emancipuar do të thotë që çdo komb mund të ndryshojë”, u shpreh Veliaj.
Ai i ftoi të gjithë qytetarët të bëhen pjesë e kësaj fushate pastrimi pavarësisht se ku jetojnë. “Ftesa për të gjithë ata që kanë ardhur në Tiranë, na bashkohen nga qytete të tjera, na kanë dhënë edhe ne sfidën e urbanizimit dhe rritjes pa kufi dhe ofrimit të shërbimit në çdo cep është: Silluni si kryeqytetas, nuk ju bën adresa apo shtëpia e shtrenjtë, ju bën mentaliteti”, bëri thirrje Veliaj.