“Dita D”, muzgu që lindi çlirimin, preludi i një simfonie që u luajt me zërin e shpirtrave që ju blatuan kësaj dite

Nga Albert Vataj

Pas shkëlqimit heroik dhe tingullit solemn të kësaj dite, fshihet një e vërtetë e thartë dhe e dhimbshme. “Dita D” ishte edhe muzgu i qindra jetëve të fikura para se drita të hapej mbi Evropë. Nuk mund të rrëfehet e tërë madhështia e kësaj dite pa ndalur vështrimin mbi çfarë nuk shkoi siç ishte planifikuar – mbi rrëmujën, mbi humbjet që mund të ishin shmangur, mbi vendimet që u morën nën trysni dhe kthesat që mori fati i betejës në orët e para.
Sepse përtej lavdisë dhe triumfit, Dita D mbetet edhe një kujtesë e ashpër se çlirimi është shpesh një akt i mbështetur mbi kosto të tmerrshme. Dhe vetëm duke parë edhe këtë faqe të errët të asaj dite, mund të kuptojmë vërtet çmimin e asaj lirie që na mbërriti nga brigjet e Normandisë.
Më 6 qershor 1944, në një mëngjes të errët mbi brigjet e Normandisë, lindi një nga agimet më të vendimtare të historisë moderne. Quajtur Dita D (D-Day), kjo ditë nuk ishte thjesht një betejë, ishte një ndërmarrje epike, një simfoni ushtarake prej tokës, detit dhe ajrit, që i dha shpresë një bote të mbytur në errësirën naziste.
81 vjet më parë, zbarkimi i Normandisë u bë akti më i madh i guximit kolektiv në Luftën e Dytë Botërore. Në këtë ditë, një forcë prej 155,892 ushtarësh nga 14 kombe aleate, të mbështetur nga 4,200 varka zbarkimi, 1,200 luftanije dhe qindra avionë, shpërtheu në brigjet e Francës së pushtuar. Parashutistë të hedhur natën në errësirë përpara zbarkimit nga deti, 24,000 trupa ajrore, synonin të vendosnin sinjale për avionët aleatë dhe të merrnin nën kontroll urat dhe rrugët strategjike. Por era e fortë i çoi në thellësi të Francës, vetëm një e dhjeta arriti në kohë në pozicionet e caktuara.
Gjermanët nuk e kishin kuptuar ende madhësinë e stuhisë që po u afrohej. Edhe në orët e para të 6 qershorit, raportimet nga fronti për zbarkime ajrore u cilësuan “të ekzagjeruara”. Dhe megjithatë, kjo “ekzagjerim” po përgatitej të thyente murin e Atlantikut që Hitleri kishte ndërtuar për të mbrojtur Evropën e pushtuar.
Në orën 06:30, plazhet e Normandisë u përgjakën për herë të parë nga trupat amerikane që zbarkonin në Utah dhe Omaha Beach. Artileria gjermane hapi zjarr të pakursyer. Bregu u kthye në një skenë tronditëse sakrifice, ku shumë nuk e prekën kurrë rërën. Por pas tyre erdhën britanikët, kanadezët, polakët dhe francezët e lirë, në një vërshim të pandalshëm. 80 kilometra bregdet u kthyen në arenën më të madhe të përplasjes mes së keqes totalitare dhe vullnetit për liri.
Dita D nuk ishte vetëm një sulm ushtarak, por një shëmbëlltyrë e asaj që mund të bëhet kur njerëzit bashkohen për një ideal të përbashkët. Humbjet ishin të mëdha, veçanërisht për amerikanët dhe kanadezët – por fitorja që u çel atë ditë solli shpresën e çlirimit për miliona njerëz.
Është e lehtë sot, tetë dekada më vonë, të flasësh për D-Day si për një faqe të lavdishme historie. Por ajo ditë, për mijëra ushtarë të zakonshëm, ishte një përballje me frikën, me vdekjen, me të pamundurën. Disa lanë atje jetën, disa lanë atje shokët. Dhe të gjithë lanë një trashëgimi: lirinë që ne gëzojmë sot.
Dita D nuk ishte fundi i luftës, por ishte fillimi i fundit të saj. Ishte momenti kur qielli u çel mbi Evropë dhe errësira nisi të zbriste nga skena. Në valët e Normandisë u shkrua me gjak fjalia më e fuqishme që njerëzimi mund t’i thotë tiranisë: “Ne nuk do të dorëzohemi.”

Swiss Digital Desktop Reklama
Swiss Digital Mobile Reklama

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A e liron Gjykata Kushtetuese nga burgu, Erion Veliajn?