Dita e Europës, 68 vite nga deklarata e Robert Schuman
Kremtimet e Ditës së Europës kanë nisur që më 5 maj në Bruksel, për të vazhduar këtë të mërkurë në Luksemburg, e më 10 qershor në Strasburg me çeljen e dyerve të instutcioneve të BE-së për publikun e gjerë.
Çdo vit, me mijëra vetë marrin pjesë në vizita, debate, koncerte dhe shfaqje të tjera të organizuara për shënimin e kësaj dite, e për të rritur ndërgjegjësimin mbi bllokun europian.
“9 Maji” sjell përvjetorin e deklaratës së Schumanit, si kremtim i paqes dhe unitetit në Europë. Në një fjalim në Paris, në vitin 1950, Robert Schuman, asokohe ministër i Jashtëm i Francës, parashtroi idenë e një forme të re bashkëpunimi politik në Europë, e cila ta bënte të paimagjinueshme luftën mes kombeve europiane.
Vizioni i tij ishte krijimi i një institucioni europian, i cili të afronte përpjekjet dhe menaxhimin e prodhimit të qymyrit e çelikut. Traktati që do të krijonte një organizëm të tillë u firmos vetëm një vit më vonë. Propozimi i Schumanit konsiderohet si fillesa e asaj që është sot BE-ja. Zyrtarisht, kjo ditë u njoh nga Parlamenti Europian në vitin 2008. Festimet e sivjetshme të delegacioneve të BE-së në mbarë kontinentin e vjetër fokusohen te trashëgimia kulturore.
KOHA JONË SONDAZH

