Dita e Romëve, 4 problemet që shqetësojnë këtë komunitet. Aliu: Qeveria zero punë për ne
Dita Ndërkombëtare e Romëve, është edhe thirrje për përfshirje sociale të këtij komuniteti në Shqipëri. Në raportin më të fundit të “Amnesty International” mbi të drejtat e njeriut thuhet se viti 2020 regjistroi edhe protesta të pakicës rome në Shqipëri pasi nuk kishte përfituar nga ndihma emergjente e qeverisë, sepse kjo ndihmë nuk mbulonte punonjësit informal. Nga ana tjetër raporti vëren se Parlamenti miratoi një amendament ligjor duke zgjeruar ndjeshëm grupet që do të gëzojnë mbrojtje ligjore nga diskriminimi. Për shqetësimet me të cilat përballet komunitetit rom në vendin tonë, flet për ”Euro News Albania”, drejtori ekzekutiv i “Roma Versitas Albania”, Emiliano Aliu.
Intervista e plotë
Si e gjen kjo ditë komunitetin rom në Shqipëri?
Për ne sot është një ditë e shënuar pasi shënon 50-vjetorin e Ditës Botërore të Romëve, që nga Kongresi i Parë i Unionit Ndërkombëtar rom është mbajtur në vitin 1971, por që më vonë në kongresin e 4-t, në vitin 1991 u caktua si Dita Ndërkombëtare e Romëve. Në vitin 1971 ku morën pjesë 23 delegatë nga 23 vende të ndryshme, u përcaktua termi rom, përsa i përket definicionit duke hequr termat e tjera pezhorative, por edhe flamuri rom, që tregon qiellin, terrenin apo tokën dhe rrotën, një kohësisht edhe himnin “Gelem Gelem”. Janë 3 elemente të rëndësishëm për njohjen e identitetin e komunitetit rom.
Por si na gjen Dita Ndërkombëtare e Romëve pas 50 vitesh, sinqerisht kemi shumë sfida përpara që duhet t’i vazhdojmë.
Edhe pse jemi në këtë situatë për shkak të pandemisë së shkaktuar nga Covid-19 shumica e shoqatave të Shoqërisë Civile nuk kanë heshtur. Jo vetëm duke kremtuar historinë, traditën dhe kulturën, por edhe duke ngritur zërin për problematikat që ka komuniteti rom në vendin tonë. Ajo që mund të them është se viti 2020 i ka gjetur pakicat rome në Shqipëri dhe rajon dhe gjithë Europën në situata akoma më të vështira se pjesën tjetër të shoqërisë .
Cilat janë disa nga çështjet kryesore që shqetësojnë komunitetin rom?
Prej vitesh 4 mbeten shqetësimet kryesore: Strehimi, punësimi, edukimi dhe përfaqësimi në vendimmarrje apo në politikë. Edhe në deklaratën e Poznanit, që e kanë nënshkruar edhe qeveritarët shqiptarë, janë zotuar që këto 4 elemente apo problematika do të ndryshojnë në vitet në vijim, do të shkojnë drejt rrugës së zgjidhjes. Këtu kemi dhe ndihmën e Këshillit të Europës përmes RCC (Këshillit Rajonal për Bashkëpunim) që bëjnë një monitorim në Shqipëri dhe në vendet e Ballkanit Perëndimor se sa janë realizuar këto zotime dhe çfarë po bëhet konkretisht?
Dhe sa janë mbajtur këto premtime?
Eh, kjo duhet diskutuar një nga një, për secilën çështje, por çdo vit paraqitet nga secili shtet një raport vjetor mbi ecurinë e këtyre premtimeve dhe sa janë realizuar ato. Në Shqipëri kishim një përmbushje në masën 25 % për sa i përket strehimit apo legalizimit të banesave të romëve. Si justifikim mund të përdoret tërmeti i nëntorit të 2019, apo pandemia Covid-19, dhe nuk është realizuar, pothuajse jemi në përqindje minimale. Kemi një shifër 90 % të rritjes së insertit në arsimin e detyrueshëm, por ndërkohë në lidhje me arsimin e mesëm kjo është në masën 50 %, dhe këtu çalon shumë si problem. Vërtet kemi përmirësim, kemi rezultat pozitiv, por mbetemi në shifra të ulëta.
Ka patur shumë diskutime në lidhje me gatishmëri për regjistrim por edhe arsimimin. Ka përmirësim?
Regjistrimet në fakt thuajse nuk i kemi më problem. Për shkak të lëvizjeve të ndryshme ka patur lindje të fëmijëve të komunitetit rom jashtë territorit të vendit dhe mos-pajisja me dokumente e ka vështirësuar këtë proces, por në tre vitet e fundit kjo çështje është thuajse e zgjidhur. Dhe kjo është gjë e mirë, sepse siguron edhe trajtimin e tyre me ndihmën ekonomike apo shërbimet e tjera. Problemi qëndron tek strehimi. Pavarësisht se ku je dhe si je, kryesore është strehimi, a kanë ata një çati mbi kokë? Edhe për ata që kanë qenë në baraka, apo kasolle, ajo ka qenë çatia e tyre për ta. Një pjesë e tyre nuk i kanë më as ato baraka, për shkak të zhvillimeve urbane në Tiranë apo edhe qytete të tjera. Mbi 10 deri në 20 % e tyre kanë mbetur të pastrehuar në këto momente që flasim.
A ka një plan për strehimin e tyre, qoftë identifikim hapësirash, pasi ka pasur edhe një diskutim që të mos strehoheshin në të njëjtin vend, që mund të konsiderohen si geto apo lagje të segreguara?
Që para 6 vitesh në lidhje më këtë diskutim kemi dhënë rekomandime dhe udhëzime që deri diku janë marrë parasysh, pasi ajo që mund të shërbente si një zgjidhje e shpejtë ishin objekte shtetërore, për shembull objektet e ushtrisë, dhe kjo hapi debatin që të mos krijonim geto apo lagje të segreruara. Por në fakt në gjithë vendin gjen lagje me komunitet rom, nuk është se ka qenë problem për ta. Shumica e familjeve rome që kanë patur mundësitë e duhura janë integruar në shoqëri, dhe ndjehen si gjithë të tjerët por ka nga ata që mbeten në këto geto, për shkak të papunësisë, problemeve ekonomike. Praktika pozitive ka edhe nga gjithë rajoni. Por nga e zeza në të bardhë nga plan i shkruar duhet kaluar në veprim, duhet vullnet i përbashkët për ta bërë këtë.
Ka më shumë ndërgjegjësim të familjeve rome për arsimimin e fëmijëve të tyre?
Nuk dua të flas vetëm për “Roma Versitas Albania”, apo për shembullin tim personal, pasi unë vetë e kam dashuri arsimin. Unë kam qenë vetë një ndër studentët që jam përpjekur të ndikoj edhe në politik-bërje sa i përket ndihmës për të arsimuar fëmijët romë. Kam ndihmuar 4 motrat e mia që të arsimohen edhe pse kanë qenë vite të vështira si viti 1997, dhe sot janë të afta të sigurojnë jetesën. Por, problemi nuk është vetëm te ndërgjegjësimi. Qeveria ka bërë mjaftueshëm sa i përket ndërgjegjësimit, por nuk mjafton vetëm kjo. Problem është gjendja ekonomike e familjeve rome sa munden ato të përballojnë kostot dhe të ndihmojnë fëmijët të arsimohen. Por edhe me hapa të vegjël arrihet pak e nga pak tek qëllimi.