Dita e Verës në Tiranë, LSI: E vetmja arsye e shtyrjes absurde të festimeve, paniku nga protesta
Qytetarët në Tiranë kanë festuar Ditën e Verës edhe pse aktivitetet për të janë shtyrë më 17 mars. Shëtitja me familjarët ka qenë aktiviteti që shumica e qytetarëve kanë zgjedhur të bëjnë në kryeqytet, ku nuk kanë munguar as shitjet e veroreve apo ballokumeve.
Edhe pse Bashkia e Tiranës shtyu festimet e Ditës së Verës në 17 mars për shkak të kushteve atmosferike, qytetarët zgjodhën të festojnë në mënyrën e tyre. Nga bulevardi Dëshmorët e Kombit, Parku Rinia dhe zona e Liqenit Artificial ishin disa prej destinacioneve të vizituara prej tyre.
Lidhur me mungesën e festimeve nga Bashkia, ka reaguar Grupi i Keshilltareve te LSI-se ne Keshillin Bashkiak Tirane, i cili përmes një deklarate për shtyp e konsideron të pakuptimtë shtyrjen nga ana e Bashkisë të festimeve.
Reagimi i Këshilltarëve të LSI në Bashkinë e Tiranës
Grupi i Këshilltarëve të LSI në Bashkinë e Tiranës duke uruar sot të gjithë qytetarët për ditën e Verës për më shumë mbarësi, paqe dhe mirësi në jetën e tyre, shpreh reagimin e tij për shtyrjen e pakuptimtë dhe pa asnjë motiv real meteorologjik, të festimeve të kësaj dite nga ana e Kryetarit Erion Veliaj. Por përveç se absurde, kjo shtyrje bie ndesh me Ligjin Nr. 7651 Neni 1 pika g, për festat dhe ditët përkujtimore, të cilat nuk mund ti ndryshojë askush.
Qytetarët e Tiranës ishin sot dëshmimtarë se asnjë pikë shiu nuk ra në qytetin tonë, dhe e vetmja arsye e vërtetë e shtyrjes absurde te festimeve, është paniku nga protesta e madhe e shqiptarëve në 16 Mars që do vërshojë si urugan i pakënaqësisë popullore në sheshet dhe rrugët e Tiranës.
Historia e afërt dhe e largët e këtij qyteti, ka treguar se asnjë manovër politike, nuk mund të ndalojë shpirtin e lirë të popullit të Tiranës për ta vendosur kryeqytetin tonë në themel të cdo lëvizje për ndryshim dhe prosperioritet në momentet e zhvillimeve më historike të kombit.
KOHA JONË SONDAZH

