Dita ndërkombëtare e fëmijëve në situatë rruge, ministrja Koçiu: 35 qendra multifunksionale në vend
Në Ditën ndërkombëtare për mbrojtjen e fëmijëve në Situatë Rruge, ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Albana Koçiu solli shembullin e Merita Aliut, e cila ka rritur 8-të fëmijët e saj falë mbështetjes së Shërbimit Social.
”Mirela Aliu është një nga ato gratë e forta, e cila pavarësisht vështirësive të jetës, ia ka dalë falë mbështetjes së Shërbimit Social që të rrisë 8-të fëmijët e saj , të cilët sot marrin shërbime komunitare si terapi psiko-sociale, program mësimdhënie dhe shëndetësore. Gjithashtu nëpërmjet programit të punësimit në komunitet, Mirela është e punësuar pranë Qendrës Komunitare Shkozë, e cila ofron mbështetje për të paktën 500 familje në nevojë”, shkruan Koçiu.
Në videon e publikuar nga Koçiu, Mirela Aliu u shpreh se “kam jetuar në kushte shumë të vështira. Tani jam e punësuar, jam shumë e kënaqur, jetoj me kushte shumë të mira në shtëpi edhe fëmijët i kam në kopshte dhe shkolla”. Koçiu thotë edhe se “në të gjithë vendin kemi ngritur 35 qendra multifunksionale të mbështetura nëpërmjet Fondit Social ku ofrohen shërbime edhe për fëmijët në nevojë”.