Dita ndërkombëtare kundër dhunës ndaj grave, Ministrja Sala prezanton masat për parandalim
Në Ditën Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës ndaj Grave, Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, në bashkëpunim me Kombet e Bashkuara në Shqipëri, organizatat partnere të shoqërisë civile, të rinj e të reja aktiviste në mbarë vendin, çelën fushatën 16 ditët e aktivizmit kundër dhunës me bazë gjinore, me temë “Asnjë justifikim për dhunën online”.
Në qendër të vëmendjes këtë vit është kërcënimi në rritje i dhunës përmes internetit, për të cilin Shqipëria shënon përpjekje dhe angazhime në shkallë të gjerë, që synojnë rritjen e ndërgjegjësimit dhe mobilizimin e komuniteteve për veprim.
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Evis Sala, në ceremoninë çelëse të fushatës nënvizoi se parandalimi dhe reagimi kundër dhunës ndaj grave dhe vajzave, përfshirë në hapësirat digjitale kërkon politika të qarta, institucione të fuqishme dhe vullnet kolektiv.
“Shqipëria është ndër vendet e para që adreson dhunën e shkaktuar nga teknologjia. Projektligj i ri për parandalimin dhe mbrojtjen ndaj dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje, si dhe propozimet për përmirësimin respektiv të Kodit Penal, janë një bazë e mirë e kuadrit legjislativ.
Po forcojmë kapacitetet e institucioneve dhe strukturave të zbatimit të ligjit, përmes përcaktimit të qartë të roleve të institucioneve shtetërore për parandalimin dhe trajtimin e dhunës kibernetike. Siguria digjitale duhet të bëhet pjesë e edukimit të hershëm, duke e integruar këtë temë në kurrikula shkollore, në mënyrë që fëmijët dhe të rinjtë të kenë aftësitë e duhura për të naviguar në botën online në mënyrë të sigurt. Gjithashtu, do të garantojmë mbështetje të specializuar për viktimat e dhunës digjitale, ndërsa po ndërtojmë ura bashkëpunimi me platformat digjitale, kompanitë e teknologjisë dhe sektorin privat“, nënvizoi ministrja.
KOHA JONË SONDAZH

