Djali i Khameneit zgjidhet Udhëheqësi i ri i Iranit
Mojtaba Hosseini Khamenei, politikan dhe klerik iranian, si edhe djali i Ajatollah Ali Khamenei, është raportuar nga disa media vendase si Udhëheqësi i ardhshëm Suprem i Iranit.
Mojtaba ka ndërtuar prej vitesh ndikimin dhe lidhjet e tij me Islamic Revolutionary Guard Corps (Garda Revolucionare) dhe me organizatën paraushtarake Basij, struktura kyçe në arkitekturën e pushtetit të Republikës Islamike. Djali i dytë i Khameneit nuk e ka mbajtur të fshehtë ambicien për të pasuar të atin në krye të shtetit.
Mojtaba, një klerik shiit, nuk është figurë e panjohur në Iran. Ai konsiderohet se ka pasur ndikim të madh te i ati dhe shpesh është përmendur si figurë kyçe në mbështetjen e ish-presidentit Mahmoud Ahmadinejad gjatë zgjedhjeve të viteve 2005 dhe 2009. Më vonë, Ahmadinejad e akuzoi atë për ndërhyrje dhe përvetësim fondesh shtetërore. Kandidatë reformistë e kanë akuzuar gjithashtu se ka qenë pjesë e një rrjeti që ndikoi në proceset zgjedhore.
Sipas Kushtetutës iraniane, përzgjedhja e pasardhësit të Udhëheqësit Suprem është kompetencë ekskluzive e Assembly of Experts, i njëjti organ që zgjodhi Ali Khamenein në vitin 1989.
Asambleja e Ekspertëve përbëhet nga 88 klerikë, të cilët zyrtarisht zgjidhen nga populli çdo tetë vjet. Megjithatë, në praktikë, vetëm klerikët që konsiderohen plotësisht besnikë ndaj Republikës Islamike lejohen të kandidojnë. Shumica e anëtarëve aktualë të këtij organi njihen për qëndrime të forta konservatore, në përputhje me linjën e Khameneit.
Kushtetuta parashikon që Asambleja duhet të zgjedhë një Udhëheqës të ri Suprem sa më shpejt të jetë e nevojshme, në rast vakance të postit.
KOHA JONË SONDAZH

