Dje “Reporterët pa Kufi” në Francë i shkruan Presidentit Berisha. T’i sigurohet shpërndarja gazetës “Koha Jonë”

(Botuar me 27 janar 1996 në KOHA JONE)

Zoti President,

“Reporterët pa Kufi” organizatë e pavarur për mbrojtjen e lirisë së shtypit në mbarë botën, proteston ndaj bllokimit të shpërndarjes sot në mëngjes të së përditshmes “Koha Jonë” dhe 11 gazetave të tjera të pavarura. Sipas informacioneve që ne disponojmë, 6 furgona të shpërndarjes që i përkasin “Koha Jonë”, u ndaluan ndërsa ishin nisur të shpërndajnë nëpër rrethe këtë gazetë dhe 11 botime të tjera. Në total 33 mijë kopje të gazetave të ndryshme u morën pa ju kthyer pronarëve të tyre. Për më tepër, 6 furgona ndodhen gjithnjë në duart e policisë dhe “Koha Jonë” është e detyruar nga e keqja të kërkojë një sistem shpërndarje me qera. Në këto kushte, gazetat e tjera mund të detyrohen të përdorin rrjetin e shpërndarjes zyrtare. Në fillim të javës, dy gazeta pro qeveritare, “Rilindja Demokratike” dhe “Albania” kishin rimarrë të dhënat e një burimi italian, Pietro Zannoni, i cili paskësh intervistuar një agjent të vjetër të sigurimit që akuzon “Koha Jonë” se ka përfituar nga fonde që “vinin nga qarqe serbe”. Ndër të tjera, edhe një zëdhënës i Partisë Demokratike në pushtet i ka përsëritur këto akuza gjatë një deklarate në Televizionin Kombëtar. Sipas akuzuesve, “Koha Jonë” paska marrë rreth 2500 dollarë nga këto qarqe serbe. “Reporterët pa Kufi” shqetësohen nga kjo masë e marrë në dëm të një gazete jo qeveritare me influencë, gjë që i ka kushtuar mjaft andralla në të kaluarën. Për më tepër kjo masë vjen në një kohë ku që prej disa muajsh janë vërejtur shenja shqetësuese dhe konkretisht agresione ndaj gazetarëve të pavarur dhe atyre të opozitës. Këto presione bëhen edhe më shqetësuese me afrimin e zgjedhjeve parlamentare në Qershorin e këtij viti. “Reporterët pa Kufi” ju kërkojnë të ndërhyni për t’i dhënë fund këtyre presioneve, dhe në rastin e tanishëm, për t’i lejuar gazetës “Koha Jonë” të sigurojë përsëri shpërndarjen e saj dhe atë të gazetave të tjera. Në pritje të një përgjigje nga ana juaj, ju lutem të pranoni Zoti President, shprehjen e konsideratës sime të lartë.

Robert Menard

Sekretari i Përgjithshëm

 

Protestë e shoqatës së gazetarëve profesionistë të Shqipërisë

Atentat i qëllimshëm ndaj shtypit të lirë

Bllokimi  i shpërndarjes së gazetave, akt i paprecedentë që i shtohet dhunës dhe presionit mbi shtypin 

Shoqata e Gazetarëve Profesionistë të Shqipërisë është mjaft e shqetësuar se sot nga orën 01:00 deri në 02:00 të mëngjesit, komisariatet e Rajoneve numër 1, 2 dhe 3 të qytetit të Tiranës, bllokuan automjetet së bashku me gazetat e ngarkuara në to të ndërmarrjes së shpërndarjes së shtypit “Press Transport”, filial i gazetës “Koha Jonë”. Policë të armatosur, të organizuar si për një operacion të qëllimshëm, u zunë pritë makinave të së vetmes agjenci nacionale private të shpërndarjes së shtypit duke bllokuar udhëtimin e tyre në  destinacion dhe duke penguar jo vetëm shpërndarjen e gazetës “Koha Jonë” por edhe një sërë gazetash të tjera kryesisht të pavarura si “Gazeta Shqiptare”, “Lajmi i Ditës” etj. të cilat kanë kontrata me këtë ndërmarrje. Gjatë këtij operacioni “të natës” u bllokuan mbi 30 mijë kopje gazetash të cilat ishin destinuar të shpërndaheshin në Veri dhe Jug nga 5 drejtime që operon deri tani kjo ndërmarrje private. Forcat e policisë e kryen këtë veprim në dalje të ndryshme të Tiranës duke e përligjur këtë veprim gjoja me faktin se automjetet apo shoferët nuk ishin të pajisur me dokumentet e nevojshme të qarkullimit rrugor. Theksojmë se është hera e parë që policia bllokon në këtë mënyrë masive makinat e ndonjë agjencie të shpërndarjes së shtypit në Shqipëri. Shoqata e gazetarëve profesionistë të Shqipërisë e sheh të dyshimtë këtë akt që nuk gjen përgjigje as në ndonjë parregullsi të vogël dhe krejtësisht të padëmshme të ndonjërit prej shoferëve. Ndërkohë shoferët e nisur në dy linja të Veriut e Jugut, pretendojnë se policët e armatosur jua kanë sekuestruar lejet e qarkullimit e më pas u kanë thënë “pse nuk i keni”. Nga ana tjetër, sot në mëngjes drejtuesit e komisariateve të policisë i kanë pritur përfaqësuesit e ndërmarrjes “Press Transport” me arrogancë dhe me klishetë e rëndomta të fabrikuara kohët e fundit sikur “Koha Jonë” financohet nga serbët e gjepura të kësi lloji, që nënkuptojnë qëllimshmërinë e operacionit  të urdhëruar kundër një ndërmarrjeje që punon me principet e ekonomisë së tregut. Duke marrë në konsideratë këto fakte, shoqata e gazetarëve profesionistë të Shqipërisë, mendon se bllokimi i shpërndarjes së shtypit të pavarur për pjesën më të madhe të vendit nga policia e Tiranës është një atentat I qëllimshëm ndaj shtypit të lirë në prag të zgjedhjeve. Ky akt pa precedent u shtohet formave të shumëllojshme të dhunës, presionit dhe censurës ekonomike që ka pësuar shtypi i pavarur dhe opozitar në Shqipëri gjatë këtyre 4 vjetëve. Projektuesit dhe organizatorët e këtyre akteve nuk po arrijnë të pajtohen natyrshëm me ekzistencën e shtypit të pavarur, sikurse nuk duan të pranojnë kompeticionin e ndershëm në rrjedhat e ekonomisë së tregut. Shoqata e gazetarëve profesionistë të Shqipërisë proteston energjikisht kundër operacionit policor “të mesnatës” dhe u kërkon organeve kompetente që të zhbllokojnë menjëherë automjetet e agjencisë “Press Transport” dhe të lejojnë funksionimin e saj normal. Shoqata jonë fton edhe një herë shoqatat homologe, në Evropë dhe në botë që të solidarizohen me protestën tonë dhe të ndikojnë në efektin e saj.

Shoqata e Gazetarëve Profesionistë të Shqipërisë, Tiranë, 26 janar 1996

 

28 Janar 1996

Mbeten të bllokuara në polici makinat e “KJ” dhe rrezikohet shpërndarja e gazetës

Mashtruesit janë në Ministrinë e Brendshme

Drejtues të lartë të Ministrisë së Brendshme e të SHIK-ut urdhëruan policët e armatosur për të shqyer pakot me “Koha Jonë”

Dje u botua në gazetat qeveritare një deklaratë e Ministrisë së Brendshme, ku hidhej poshtë konferenca e shtypit e drejtuesve të gazetës “Koha Jonë” N. Lesi dhe A. Frangaj pasi sipas Ministrisë së Brendshme nuk është bllokuar shpërndarja e gazetës “Koha Jonë” nga policët e armatosur më datë 26 janar. Atëherë si ka mundësi që të gjitha automjetet e “Koha Jonë” janë akoma të bllokuara në rajonet e policisë në Tiranë dhe nuk shpresohet që të lëshohen për të transportuar gazetën “Koha Jonë”?! Mos nga qejfi redaksia e gazetës dje dhe sot ka marrë furgon me qera mjaft të lartë për të transportuar nëpër rrethe gazetën?! Mos vallë nga dëshira për t’i harxhuar sa më shpejt  “dollarët e Serbisë” ?! Përgënjeshtruesit e Ministrisë së Brendshme bëjnë mirë të pyesin edhe Ministrin e tyre dhe jo vetëm zv/ministrin Agim Shehu kur bëjnë deklarata publike, pasi në vend që të ngrenë reputacionin e rënë nga krimet e shumta, bëjnë efektin e kundërt. A ka paturpësi më të madhe se ajo deklaratë e Ministrisë së Brendshme ku thuhej se të gjitha automjetet e gazetës “Koha Jonë” janë bllokuar pasi nuk kanë dokumentet në rregull dhe përmendej se filan makinë nuk kishte siguracion, tjetra nuk kishte gjoja leje qarkullimi, një tjetër ishte me të meta teknike, një tjetër ka ngjyrën e kuq etj.  Sqarojmë Ministrinë e Brendshme se përveç një shofer, i cili nuk kishte me vete patentën, të gjitha makinat e tjera janë me të gjitha dokumentet në rregull. Kanë qenë pikërisht policët dhe shefat e ministrisë suaj që kanë grisur në mënyrën më të paturpshme dokumentet shoferëve dhe pastaj u janë drejtuar në mënyrë hipokrite se “ku e keni këtë dokument…”. A ka më turp për një Ministri, e cila merret me një gazetë që jeton me lekët e saj dhe jo me dollarët e kontrabandës së naftës e të klandestinëve? A ka më turp për një dikaster që duhet të vendosë qetësinë e rendin publik me policët dhe jo të dërgojë “Tipot” e policë për të survejuar redaksinë?! Ju thoni se makinat tona nuk kanë dokumentet në rregull pro ne disponojmë fotokopjet e të gjitha dokumenteve për makinat për të cilat ju deklamoni se nuk i kanë. Mund të shikoni fotokopjet që po botojmë. Pastaj si shpjegohet që edhe dje shefi i qarkullimit rrugor të rajonit numër 1 të policisë tallej me drejtuesit e parkut të automjeteve të “Koha Jonë” se duhej të shkonin në qarkullimin rrugor të Tiranës për të rimarrë dokumente të reja, pasi ndryshe nuk i lëshojmë automjetet. Në degën e qarkullimit të përgjigjeshin rrugor të Tiranës thoshin “na sillni automjetet që t’i shohim dhe pastaj ju japim dokumentet”. Përsëri në rajonet e policisë u përgjigjeshin “Nuk ua lëshojmë pa na risjellë dokumentet”. Kështu dje gjatë gjithë ditës vartësit e Ministrisë së Brendshme luanin me punonjësit e “Koha Jonë”. Përfundimisht një polic i qarkullimit rrugor të rajonit numër 1 sqaroi me dashamirësi përfaqësuesit tonë se “Kot lodheni pasi ka urdhër nga Zv/Ministri Agim Shehu që të bllokohet çdo automjet i gazetës “Koha Jonë”. Pra deri më sot bëhen 6 automjete të bllokuara prej 2 muajsh nga shefi i komisariatit të Durrësit, duke paraqitur arsye absurde. Atëherë kush është mashtruesi: Ministria e Brendshme apo gazeta “Koha Jonë”?

 

 

SHKARKO APP