Djegia e Kuvendit, Basha: Presidenti nuk e ka ndarë me mua një informacion të tillë

Presidenti Ilir Meta bëri gjithçka për të ndaluar gjakderdhjen e planifikuar nga Edi Rama. Kështu u shpreh në “Çim Peka LIVE” kryetari i PD-së Lulzim Basha. Sipas tij, kreu i shtetit mori vendimin e duhur duke anuluar zgjedhjet e 30 qershorit.

“Presidenti bëri gjithçka për të ndalur gjakderdhjen që kishte planifikuar Edi Rama. Për presidentin mund të them se ka vepruar si çdo kryetar shteti në përputhje me kushtetutën”, u shpreh Basha.

I pyetur nga moderatori i emisionit Çim Peka, nëse kreu i shtetit e kishte ndarë me kreun e opozitës informacionin sipas të cilit po planifikohej djegja e Kuvendit, Basha e mohoi një gjë të tillë.

“Jo nuk e ka ndarë këtë informacion me mua. Nuk e di nëse e ka patur para ngjarjes apo pas ngjarjes së mitingut që i referohet. Nuk e kam parë vetë informacionin. SHISH është i kapur politikisht si Prokuroria dhe Policia e Shtetit. Ne kemi indiciet tona që është vendosur në axhendën politike të Ramës, por nuk habitem fare që mund të kenë planifikuar ngjarje të tilla edhe në mitingje. Siç u publikua edhe në mediat kryesore të vendit sipas të cilave, persona të dalë nga burgu do të kryenin vrasje në mitingun e 22 qershorit. Situata ka qenë e tillë sa mund të çonte drejt gjakderdhjes”, deklaroi Lulzim Basha.

SHKARKO APP