Do ketë protestë të enjten para Parlamentit? Korreshi: Koçi i Teto Ollgës po bën ”luftë me shpata” në Japoni

Këtë të martë, Sekretariati për Procedurat dhe Votimet, ka përjashtuar deputetët e PD-së për kaosin në seancën plenare të enjten e kaluar. Deputetët Edmond Spaho, Oerd Bylykbashi, Elda Hoti dhe Sorina Koti nuk do të lejohen në seancë për 10 ditë, ndërsa Lindita Metaliaj është përjashtuar për 5 ditë dhe Greta Bardeli për 3 ditë.

Pas vendimit, në një prononcim për mediat, deputeti i PD-së, Saimir Korreshi tha se vendimi për përjashtimin e 6 deputetëve ishte marrë paraprakisht dhe mbledhja e sekretariatit të Etikës ditën e sotme, ishte thjesht formale.

“Vendimet janë marrë paraprakisht, pavarësisht se formalisht mblidhet sekretariati. Vendimet janë marrë që në grupin parlamentar të PS që u mblodh ditën e djeshme. E njëjta histori, kalojnë afatet, Kuvendi ka shumë punë se ka filluar fushata elektorale dhe më shumë merren me “Aktivistin” sesa më punët. Ata pretendojnë se ka rregullore ndërkohë që janë të parët që kanë shkelur rregulloren. Kur ne kërkojmë interpelancë thonë se është bashkuar me mocionin për debat ndërkohë që duhet të bëhen veçmas”,-tha Korreshi.

I pyetur nëse opozita do organizojë protestë dhe do bllokojë seancën e kësaj të enjte, Korreshi tha se do të kishte protestë, por është e kotë sepse kryeministri Edi Rama ndodhet në Japoni.

“Do protestojmë edhe në seancën e radhës. Por i bie të protestosh kot sepse ai është duke bërë lufta me shpata në Japoni. Koçi i Teto Ollgës po bën luftë me shpata në Japoni, edhe këtë javë na mbetet të protestojmë me bilbila”,-tha deputeti.

SHKARKO APP