Doktor Arben Gjata: Shifrat pozitive, por s’është ende momenti për këngën e fitores

Doktor Arben Gjata, kreu i Task Forcës anti COVID-19, u shpreh në Dita Jonë, se pavarësisht shifrave nuk është ende momenti për të kënduar këngën e fitores ndaj koronavirusit.

Ai thekson se duhet të presim të paktën edhe 10 ditë për të parë ecurinë. “Jemi në shifra më të mira nga ato që kishim pritur, por nuk është momenti për të kënduar këngën e fitores. Fati ishte që ne i morëm masat shumë shpejt. Kjo është një metodë e dhimbshme, vuajtje, por shumë më pak se të kishim me mijëra në spitale”, u shpreh Arben Gjata.

Më tej, kreu i Task Forcës theksoi se ndërprerja e zinxhirit të infeksionit është shumë e vështirë, pasi një pjesë e madhe të qytetarëve mund të jenë asimptomatikë, por kjo është një përpjekje për të ndryshuar kurbën.

Sa i përket personave të riatdhesuar së fundmi, Gjata u shpreh se atyre u është rekomanduar të qëndrojnë 3 javë në izolim. “Njerëzit duhet të kenë aq ndërgjegje qytetare. Nuk mund t’u vendosim të gjithëve nga një polic te dera”.

SHKARKO APP