Dokumenti/ Rritet tarifa e terminalit për avionët në Rinas, aeroporti kaloi te “Kastrati Group” në dhjetor
Rritet tarifa e terminalit për avionët në Rinas. ‘Eurocontrol’ organizata që merret me faturimin dhe mbledhje e tarifave të terminalit për llogari të Albcontrol ka publikuar tarifën e re të terminalit për të gjithë ato avionë që qëndrojnë në Rinas. Sipas dokumentit të publikuar nga Eurocontrol tarifa e terminalit për vitin 2021 do të jetë 235.67 euro për avion ndërkohë që një vit më parë kjo tarifë ishte 227.48 euro duke shënuar kështu një rritje të kësaj tarife për çdo avion.Rritja e tarifes përkon me kohën kur Aeroporti i Rinasit, i vetmi në Shqipëri është në duart e kompanisë shqiptare ‘Kastrati Grup’, e cila ia bleu grupit kinez për 71 milionë euro.
‘Tarifa e terminalit vendoset për çdo fluturim që niset nga Tirana International Aeroporti. Shkalla e njësisë së tarifës e zbatueshme nga 1 janari 2021 është 235.67 euro. Shkalla e interesit për pagesën e vonuar të tarifave terminale të zbatueshme nga 1 janar 2021 është 9.67% në vit. Këto tarifa janë të publikuara edhe në Shqipëri’- thuhet në dokumentin e Eurocontrol.
Në shpjegimin e Eurocontrol tarifat e terminalit marrin parasysh dy element së pari peshën e avionit që niset dhe së dyti njësinë e tarifës për aerodromin nga ku bëhet nisja. Rezultati që merret pasi bëhet shumëzimi i dy elementëve është vlera që paguhet për terminalin. Eurocontrol sqaron se vendet anëtare përcaktojnë zonat e tarifimit për terminalet që mund të jetë një aerodrom apo disa aerodrome që lokalizohen në një vend të caktuar ku ofrohen shërbime për të cilën duhet të paguhet tarifë.